Në anën tjetër, partitë si: PSD, AKR, PEK e NISMA dhe Alter Ego dhe Deus Ex Nativa, do të mundohen që të bëhen sa më pragmatike, që e ka kuptimin se si ta kalojnë pragun me automatizëm, e ajo mund të bëhet vetëm po qe se u ngjiten si rimorkio parazgjedhore ndonjërës prej partive më të mëdha si LDK, VV, PDK dhe AAK
Aktivisti i sporteve të rënda, të gjithë neve në fundjavën e kaluar na zuri ashtu sikur hutin në zgurrë, syhapun. Më keq se neve të tjerëve, më duket i ka zënë kryeparlamentarin Veseli, i cili gjendej në Amerikë në udhëtim zyrtar, si dhe presidentin Thaçi. Ata i zuri si qyqet n'rremë. Aktivisti i sporteve të rënda, respektivisht ish-kryeministri Ramush Haradinaj, të premten e kaluar, me rastin e ditëlindjes së parë të ditarit tim në mbledhjen e Qeverisë dha dorëheqje të parevokueshme dhe deklaroi se mandatin e tij po e kthen te sovrani. Arsyen tashmë e kemi të njohur të gjithë, ftesa nga ana e Gjykatës së Kosovës dhe Dhomave të Specializuara me seli në Hagë që të intervistohet në cilësi të të dyshuarit.
Është hera e tretë kjo që Ramushi ftohet në Hagë, por ç’është e vërteta dy herët e para ai kishte një mori aktakuzash nga të cilat u lirua, mirëpo kësaj radhe çdo gjë është më enigmatike. Ish- kryeministri tha se në Hagë do të shkojë vetëm si Ramush Haradinaj. Ashtu edhe veproi. Si edhe secili i ftuar para tij, edhe ky zgjodhi që pyetjeve të personave të cilët do ta intervistonin t’u përgjigjej me heshtje.
Është një veprim të cilin drejtësia e njeh si të tillë, dhe të akuzuarit kanë të drejtë të mbrohen në heshtje. Por neve po na thuhet se nuk janë të akuzuar, andaj pse të heshtet kur bëhet fjalë për mbrojtjen e një lufte të drejtë, nuk e kam shumë të qartë.
Ramushi dy herë na doli hero nga këto gjykatat ndërkombëtare, kjo njihet si gjykatë e jona, por me gjykatës ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë, kur të dalë edhe nga kjo hero, do të barazohet me Titon dhe do të bëhet tri herë hero.
Pjesa e cila tash është duke shkaktuar huti tek unë si diplomat i rryer që jam e edhe te popullata e pafajshme civile është fakti se Ramushi dhe vartësit e tij tashmë po e quajnë kryeministër në detyrë, dhe dikush po dëshiron të na e përziejë me kos dhe të na e përhumbë aktin e dorëheqjes së parevokueshme me pasojë rrëzimin e Qeverisë, me një vazhdim të kësaj monstrum qeverie me një kryeministër në detyrë. Sipas disa burimeve, po flitet se të premten Ramush Haradinaj do ta ftojë mbledhjen e radhës së Qeverisë. Më e keqja është se të gjithë janë në dijeni se bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës, mirëpo dikush duhet që t’i denoncojë dhe të kërkojë interpretim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, dhe e tëra kjo do t’i blejë kohë ish- kryeministrit Ramush Haradinaj që, ashtu nga prapaskena, t’i rehatojë edhe ato kontrata me vlerë miliarda eurove, diçka në asfalt, diçka në termocentral me qymyr në shekullin 21. Nejse, aty-këtu edhe naj hallë, teze apo ndonjë bijë notere.
Por këtu Kadri Veseli dhe mentori i tij Hashim Thaçi nuk do ta lejojnë që ajo pjesë e pites t’u ikë nga tepsia e ata të mos gllabërojnë asgjë. Në fakt, tash që të gjithë me Kushtetutën e Kosovës do të sillen sikur imamët e pandërgjegjshëm, ku secili e interpreton Kuranin e madhërishëm sipas dëshirës dhe nevojës së tyre në një moment dhe situatë të caktuar para xhematit, që gjithashtu është i zënë si huti në zgurrë. Secili do të mundohet që nga situata e krijuar të përfitojë poenë politikë, dhe gjasat që Gjykata Kushtetuese do të futet në lojë nga këta politikanë të paskrupullt janë të mëdha.
Presidenti Thaçi, si gjarpër me përvojë që është, për momentin po rri ndër hije të gurëve dhe po i ikën zhegut veror, duke e pritur edhe rezultatin e zgjedhjeve të brendshme në LDK. A do ta udhëheqë LDK-në ndonjë figurë e re me politika progresive për vetë LDK-në dhe politikën kosovare apo ndonjë figurë pjesë e kalkulimeve të meçeve më të hershme të shahut nga presidenti Thaçi, mbetet të shihet. Atë moment është duke e pritur edhe shahisti, mjeshtri me renome botërore nga Buroja, Hashim Big Fisher.
Nga disa kabllograme jo të verifikuara diplomatike përflitet se pas tërheqjes së Isa Mustafës nga gara për të parin e partisë, gara do të mbetet ndërmjet Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut. Njëri pothuajse kryetar permanent i Komunës së Gjilanit, tjetri kryetar permanent i Komunës së Podujevës. LDK-ja i di punët e veta dhe kanë të drejtë të veprojnë siç ua do qejfi dhe ua thotë mendja, por për shijen time të hollë diplomatike këto dy figura të shkërmoqura politike nuk kanë se çfarë politike progresive të ofrojnë për LDK-në, e aq më pak për diçka në nivel të Kosovës.
Në anën tjetër, partitë si PSD, AKR, PEK e NISMA dhe Alter Ego dhe Deus Ex Nativa do të mundohen që të bëhen sa më pragmatike, që e ka kuptimin se si ta kalojnë pragun me automatizëm, e ajo mund të bëhet vetëm po qe se u ngjiten si rimorkio parazgjedhore ndonjërës prej partive më të mëdha si LDK, VV, PDK dhe AAK.
Kombinatorikat e kurvërive politike për zgjedhje të reja tashmë janë të hapura dhe të panumërta. E aty ju lus që të mos kërkoni dhe të prisni as moral politik, e aq më pak parime politike.
Nga shoshitja diplomatike, që ua bëjë miqve të mi diplomatë, thënë të vërtetën ata nuk duken të ngazëllyer në prospektin e zgjedhjeve të reja me garniturën e njerëzve të njëjtë të inkriminuar në korrupsion e në krim, si dhe me lojërat e tyre të pakufi me gjykatën kushtetuese për blerje kohe për llogaritë e tyre politike. Atyre këto gjëra u kanë ardhur tek hunda, dhe mua më tingëllojnë dhe ma lënë përshtypjen që ata janë më shumë në favor të formimit të një qeverie teknike apo të përkohshme kalimtare. Nga ana e politikanëve kosovarë u lakua edhe emri i presidentes Atifete Jahjaga si një kryeministre kalimtare, mirëpo unë jam i mendimit që më shumë mund të jenë gjasat e Mimoza Kusarit-Lila si një kryeministre "konsensuale" e një qeverie teknike/kalimtare, për shkak të energjisë së saj për të vepruar e edhe respektit të cilin e gëzon te ndërkombëtarët. Në rrethana të tjera, i preferuar i ndërkombëtarëve do të mundë të ishte edhe Shpend Ahmeti, mirëpo, në atë që quhet "crisis management", ky nuk mendoj se do të ishte moment i duhur për diplomatët ndërkombëtarë që të shkojnë me atë variant. Porse që do të kishte ndonjë rol në qeverinë teknike/kalimtare sigurisht se do të kishte.
Në interes të bashkësisë ndërkombëtare është që proceset e bllokuara, si: bisedimet me Serbinë, heqja e tarifës në produktet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, si dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit në Kosovë të vazhdojnë, dhe respektivisht të përfundojnë sa më parë, gjithashtu ndërmjet rreshtash unë i lexoj ata se janë duke thënë se ne nuk jemi të gatshëm që ta presim Kosovën pas çdo traume politike që ajo do ta përjetojë, sa herë që Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë të ftojnë ndonjërën nga figurat kyç politike në intervistim. Kosova duhet të vazhdojë të ecë me proceset e saj përpara dhe nuk mund të mbetet peng e asnjë individi, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Nuk mund të mbetet peng e dorëheqjeve dhe pastaj ushtrimeve në detyrë, e më pas interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese për të blerë kohë e bërë kalkulime politike. Kosova nuk e ka atë luks, e aq më pak as për borxh nuk ua ka asnjërit prej tyre.
Mjaft më e mjelët këtë vend e luajtët me besimin e njerëzve, të cilin ua dhanë blanko që nga përfundimi i luftës. Luajtët me fatin e fëmijëve të tyre e me fatin e tokave të këtij vendi. Shpresojmë të dilni të pafajshëm që të gjithë nga aktakuzat e mundshme të cilat mund t’u ngarkohen, e edhe kur të dilni të pastër, aman shporruni më nga politika, sepse asgjë dhe asnjë të mirë nuk i sollët këtij vendi dhe këtij populli prejse i shfaqët ambiciet e juaja që të merreni me politikë qe 20 vjet. Hej 20 VJET.
Hairin ua panë vetëm familjarët e juaj, vartësit e juaj, supozitorët politikë, magnatët ekonomikë dhe pakurrizorët kuazi intelektualë, e të gjithë këta bashkërisht nuk e përbëjnë as 10% të popullatës.
Ai 90% tjetër i popullatës pajtohet me secilën fjalë të cilën unë e kam shkruar dhe shprehur këtu në ditar, disa nga ta ashtu në stilin tuaj në heshtje e shumë nga ta edhe me komentet e tyre origjinale të mospajtimit me politikat e juaja dhe çka ju përfaqësoni.
P.S. Ramush nuk po di çfarë porosie me ta dhënë. Tash si ish-kryeministër s’ke më ndonjë rol vendimmarrës. Por, a e din qysh. Ty të shkon zani, e tash së shpejti mbahen edhe "Ditët e Diasporës", shpresoj e keni ndarë ndonjë buxhet për këtë gjë. Dil burrë këndona ndonjë këngë. Kur ta përfundosh këngën, zbrit prej binës dhe shko silli boks atij boksit para Ministrisë së Kulturës, kallja tona sijalicat.