Udhëheq partinë më të vogël opozitare, por Ramush Haradinaj e bëri “burrin e fortë” në Kuvend dhe jashtë tij. Prodhoi shumë lajme edhe për sharje e kërcënime.
Sa ishte kryeministër, Haradinaj pati vendosur tarifën 100 për qind ndaj mallrave me origjinë Serbinë, masë të kritikuar fortë nga ndërkombëtarët. Por, nga kryeministri Kurti vazhdimisht kërkoi tërheqje nga politikat në raport me reciprocitetin me Serbinë dhe nga vendimet për shtrirjen e ligjshmërisë në veriun e banuar me serbë.
I shkoi Kurtit në takim për targat, por nuk e duroi më shumë e 20 minuta. Kur doli, tha se Kurti “mbante ligjërata” e nuk e sqaronte “pse i ka prishur raportet me Amerikën”.
Gardiani i raporteve me SHBA-në, shpeshherë gjatë vitit e qortoi Kurtin dhe i bëri thirrje që të mos e hidhërojë mikun e madh të Kosovës. Në një moment kryeministrin e akuzoi për poshtërsi, e në një tjetër e quajti të sëmurë.
Si burrë i fortë, Haradinaj ngjiti edhe shumë maja bjeshkësh, e u kacavor nëpër shkëmbinj, por nuk mungoi as në dasma e ahengje dhe nuk përtoi t’i argëtonte njerëzit me zërin melankolik.