Me dhjetëra pacientë që drejtohen në ambulancat specialistike të Ortopedisë për të kryer kontrolle mjekësore detyrohen që të zënë radhën që nga ora gjashtë e mëngjesit. Ata që nuk arrijnë të caktojnë terminë, me justifikimin e plotësimit të listës së pacientëve që mund të pranohen gjatë ditës, detyrohen që të kthehen pa u kontrolluar. Telashet me terminë në këtë ambulancë shkaktohen si pasojë e mungesës së sistemit për caktimin paraprak të kontrolleve mjekësore
Me dhjetëra pacientë hyjnë e dalin nga ambulancat specialistike për të kryer kontrolle të caktuara mjekësore. Numër i madh syresh presin në radhë edhe korridoreve, përderisa disa kthehen në shtëpi pa u kontrolluar.
Duke folur vetëm prapa kamerës, pacientët treguan se trajtimin nuk mundën ta marrin pasi në sportel nuk pranuan t’i regjistronin.
Për caktimin e një termini në repartet e Klinikës Ortopedike, ata në kushte anonimiteti treguan se duhet pritur që prej orës gjashtë të mëngjesit.
Gani Jashanica, drejtor i Ortopedisë, pranon se ka pacientë që detyrohen të kthehen pa marrë shërbime.
“Është një mungesë, një specifikë që e ka ambulanca jonë, për arsye se vijnë edhe rastet urgjente, të cilat nuk presin dhe nuk kemi listë të referimeve ekzakte për ditën e caktuar. D.m.th. mjeku nuk e di për pacientët që ka për t’i kontrolluar, po ata janë ad-hoc. Vijnë herët në mëngjes, shënohen dhe mbushet lista. Ne kemi caktuar një listë prej 20 pacientëve, duke u referuar në kohën që duhet ta ketë një pacient për shërbimin që u ofrohet, që është 10-15 minuta. Kështu që shumica e mjekëve i kryejnë 20 e më tepër pacientë”, ka thënë Jashanica.
Ani se numër të madh pacientësh dhe radhë të pritjes ka edhe pranë ambulancave të tjera specialistike, ato funksionojnë kryesisht nëpërmjet terminëve të caktuar paraprakisht.
Jashanica thotë se ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që ky sistem të jetë i qasshëm edhe për Ortopedinë.
“Kemi menduar dhe besoj se vitin e ardhshëm do të dalim me një veprim konkret me listë të pritjes, ku do të dihet cili pacient do të vijë, që do të ketë lehtësim edhe për pacientin edhe do ta ketë orën dhe kohën e caktuar kur do të kontrollohet, por edhe për mjekun është mirë se ai e din natyrën e sëmundjes. Kjo është në korrelacion edhe me SHSKUK-në”, ka thënë Jashanica.
Në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar nuk kanë treguar nëse për pritjet në këtë klinikë do të bëhet një zgjidhje në vitin e ardhshëm.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si qendra e vetme terciare në vend, është e mbingarkuar sa u përket kërkesave për të marrë shërbime ambulatore specialistike mjekësore. Në të gjitha ambulancat specialistike, përjashtuar ato të Klinikës së Ortopedisë, vizitat kryhen me terminë, për shkak të specifikave. Në ambulancat e Ortopedisë merret shërbim i rregullt në baza ditore dhe ka listë (histori) të pacientit, sikur në të gjitha ambulancat e tjera”, kanë thënë në një përgjigje nga SHSKUK-ja.
Për pritje të gjata të pacientëve dhe për mosrespektimin e terminëve për kontrolle është raportuar gjatë gjithë vitit.