Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, sot ka mbajtur një takim me Kryetarët e Degëve të partisë së tij, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, sipas komunikatës së PDK-së.
Veseli ka thënë se PDK është gati për zgjedhje dhe në këtë proces hyn për të fituar.
“Tashmë data zgjedhjeve duhet të caktohet sa më parë. Ne kemi përfunduar procesin e brendshëm zgjedhor, që ka fuqizuar PDK-në, dhe jemi të përgatitur për zgjedhje si asnjëherë më parë”, është shprehur Kryetari Veseli.
Në takim është vendosur që të gjitha Degët e PDK-së të krijojnë shtabet zgjedhore gjatë kësaj jave dhe po ashtu është kërkuar nga Kryetarët e Degëve që të fillojnë propozimet për kandidatët për deputetë që do të jenë pjesë e listës kandiduese të PDK-së.
“PDK hyn në zgjedhje me qëllimin e qartë për të fituar në këtë proces dhe për t'i dhënë vendit një Qeveri me legjitimitet të plotë qytetar dhe me vizion të qartë për të ardhmen euro-atlantike”, ka thënë Kryetari Veseli.