Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli: Presim përkrahje më të madhe nga Kroacia në rrugën drejt BE-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar vizitën zyrtare në Kroaci, me pritjen shtetërore nga kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se të dy homologët biseduan për raportet e mira që Parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërmjet tyre, ndërsa u shtrua nevoja që ky bashkëpunim të thellohet dhe avancohet edhe më tej në të gjitha nivelet e jetës parlamentare, posaçërisht në sferën e diplomacisë parlamentare.

Në funksion të kësaj, Veseli e njohu homologun kroat me formimin e Grupit të Miqësisë Kosovë-Kroaci në Kuvendin e Kosovës, transmeton Koha.net.

Veseli shprehu interesimin për fuqizimin e bashkëpunimit në sferën e zbatimit të MSA-së, me ç’rast çmoi rolin e Tonin Piculas, si raportues dhe eurodeputetëve kroatë si mbështetës të këtij procesi.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja kroate në fushën e zhvillimit ekonomik dhe institucional, e sidomos në sferën e integrimit europian.

“Kroacia është partner i Kosovës në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Ka qenë një nga përkrahësit e parë të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Ne presim edhe më shumë përkrahje nga Kroacia, veçanërisht në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, pasi është një rrugëtim që shteti kroat me sukses e ka kaluar. Kosova ka mundësi të merr edhe përvoja parlamentare nga Kroacia por edhe në shumë fusha tjera. Ne do të intensifikojmë raportet tona si dy shtete mike”, tha Veseli.