Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli: Bullgaria, përkrahëse e Kosovës në të gjitha fushat

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Bullgari, ka zhvilluar një takim të veçantë me homologen e tij bullgare, Tsveta Karayancheva.

Siç njofton kumtesa nga Kuvendi, në takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve respektive, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit në fushat me interes reciprok.

Veseli tha se Kosova dhe Bullgaria duhet të intensifikojnë marrëdhëniet midis tyre, aq më tepër kur tani shënohet 10-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Bullgaria është njëra ndër shtetet që e ka ndihmuar shumë Kosovën në të gjitha proceset, nga viti 1999. Është ndër vendet e para që e ka njohur shtetin tonë më 2008. Tani, brenda BE-së është zë i promovimit të Kosovës”, theksoi Veseli.

Kryetari i Kuvendit shtoi se mbështetja e Sofjes zyrtare për Kosovën vazhdon të mbetet e rëndësishme, si në bartjen e përvojës së saj legjislative, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë dhe aspiratat euro-atlantike.

“Mora zotimin se Bullgaria në mënyrë të vazhdueshme do të jetë përkrah Kosovës, në të gjitha proceset dhe sfidat që ajo ka para vetes në rrugëtimin e integrimit evropian. Bullgaria është përkrahëse në procesin e liberalizimit të vizave, është përkrahëse për Interpolin dhe në çdo proces aplikimi të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare”, tha kryeparlamentari Veseli.

Edhe Në 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, Kosova e Bullgaria synojnë rritje të bashkëpunimit ekonomik Arbëri Në 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, Kosova e Bullgaria synojnë rritje të bashkëpunimit ekonomik

Ai shprehu besimin se tani do të hapet një etapë e re bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve.

Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Tsveta Karayancheva, nga ana e saj, konfirmoi mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën edhe në të ardhmen, sidomos në rrugën e integrimit evropian.