Arbëri

Veseli kërkon të anulohet protesta e paralajmëruar e organizatave të dala nga lufta

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka kërkuar që të anulohet protesta e paralajmëruar për 9 korrik nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe ish të Burgosurve Politikë.

Këto organizata kishin paralajmëruar protestën gjithëpopullore me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”, pas aktakuzave të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specalizuar ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Përmes një videoje në Facebook, Veseli ka falënderuar bashkëluftëtarët për mbështetje, teksa ka thënë se në kohë pandemisë shqetësimi është për jetën e qytetarëve.

“Nuk dua që për jetën time të rrezikohet asnjë jetë. Sepse, ky edhe ishte qëllimi i luftës sonë. Të jetojmë të lirë, pa u rrezikuar asnjë jetë. Jeta e secilit vlen. Prandaj, me mirëkuptimin më të madh, dhe kërkesën më të sinqertë, i lus bashkëluftëtarët e mi dhe të gjithë qytetarët që ta anulojnë këtë protestë”, ka thënë ndër tjerash ai.