Arbëri

Vërshimet lanë pa mësim nxënësit e shtatë komunave

Për shkak të vërshimeve nga reshjet e shiut, nxënësit e shtatë komunave të Kosovës nuk shkuan në mësim të premten, ka njoftuar ministrja e Arsimit (MASHT), Arbërie Nagavci.

Në Mitrovicë, Skenderaj, Klinë dhe Zubin Potok, asnjë shkollë nuk ka mbajtur mësim si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Sipas njoftimit, zyrtarët e MASHTI-t sot kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore.

“Si Ministri jemi duke e përcjellë me kujdes të veçantë situatën dhe në kontakt të vazhdueshën me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente si dhe drejtorët e DKA-ve ndërsa do të ju informojmë me kohë për ditën e hënë si dhe me drejtorët e DKA-së, për t'u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre”, thuhet në njoftimin e Nagavcit në Facebook.

Në fshatrat e Podujevës, Pakashticë dhe Peran, mësimi nuk është zhvilluar të premten.

Në Pejë, mësim nuk është mbajtur vetëm në fshatin Kliqinë.

Në Istog, mësimi nuk është zhvilluar vetëm në shkollën “Avni Rrustemi”, teksa raportohet për dëme të mëdha në disa shkolla të tjera.

Ndërkohë, në katër fshatra të Vitisë ka pasur dëme të çative të shkollave, por mësimi është mbajtur.

“Ndërkaq, komunat të cilat kanë raportuar që nuk kanë dëme dhe mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat janë: Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Hani i Elezit, Kaçanik, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Deçan, Prizren, Suharekë, Junik, Dragash, Mamushë, Leposaviq, Zveçan”, ka njoftuar ministrja e Arsimit.