Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vela: Kriza në LDK është shpërfaqur publikisht, as në PDK situata s’është më e mirë

Analisti politik, Blerim Vela, ka thënë se ajo që po e dallon procesin e diskutimeve për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, krahasuar me diskutimet pas dy palë zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2025, është siç ka thënë, shpërfaqja në publik e krizës të disa parti opozitare. 

Sipas tij, përveç LDK-së, delegatë të së cilës kanë dorëzuar nënshkrimet më kërkesë për mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, gjendja nuk është më e mirë as në PDK. 

“Për dallim nga herët e kaluara, pra pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 dhe të dhjetorit 2025, ajo që e bën të dallueshme këtë proces tani është shpërfaqja në publik e krizës së brendshme politike të disa parti opozitare, në këtë rast te LDK-ja, edhe pse edhe në PDK nuk është situata është më e mirë, ndonëse ata po arrijnë t’i mbajnë mospajtimet e brendshme”, është shprehur Vela në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij zhvillimet brenda LDK-së do ta determinojnë nëse do të mbahen zgjedhje të reja këtë vit. 

“Zhvillimet në LDK do të jenë determinuese për atë se a do të kemi një legjislaturë të suksesshme dhe do të kthehemi në normalitet politik apo do të vazhdojmë më ciklin e zgjedhjeve të ardhshme diku në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas afateve kushtetuese”, ka theksuar Vela.

Ai ka thënë se në LDK aktualisht ka tri grupe, një që e përkrah kryetarin Abdixhiku, një që është kundër dhe një grup i vogël që sipas nuk është deklaruar pro apo kundër tij.

Edhe Vela: Diskutimet e ish-opozitës për reflektim të brendshëm, në momentin më të keq të mundshëm Arbëri 1 muaj më parë Vela: Diskutimet e ish-opozitës për reflektim të brendshëm, në momentin më të keq të mundshëm

Abdixhiku të mërkurën pasdite ka deklaruar se do t’i ndërpresë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë. Në një mesazh drejtuar,  siç ka thënë, anëtarësisë, votuesve dhe popullit të Kosovës, Abdixhiku ka theksuar se zhvillimet e fundit e detyrojnë të tërhiqet përkohësisht nga procesi i negociatave politike.

Disa orë para se Abdixhiku t’u drejtohej mbështetësve të LDK-së, deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Armend Zemaj, dhe kryetari i degës së dytë të kësaj partie në Prishtinë, Florian Dushi, kanë dorëzuar nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë. 

E po të mërkurën, burime të KOHË-s janë informuar se nga takimi i Abdixhikut me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, i mbajtur të premten e javës së kaluar, ishte arritur dakordimi për krijimin e institucioneve të reja dhe ndarjen e pozitave në to.