Arbëri

Veçohet procedura ndaj dy të akuzuarve për rastin e “veteranëve të rrejshëm”

Foto: Koha

Për të dytën herë sot do të tentohet të fillojë gjykimi për akuzat se mijëra njerëz kanë fituar jashtëligjshëm statusin e veteranit.

Të akuzuar janë pjesa me e madhe e anëtarëve të komisionit qeveritar për njohjen e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj ka thënë se pas evidentimit të prezencës se palëve, gjykata do të vendos për filmimin ose jo të mediave.

Megjithatë njeri nga të akuzuarit, Ahmet Daku mungon në seancë.

Në seancë po mungon edhe kryetari i Shoqatës se Dëshmoreve, Xhavit Jashari i cili sipas kryetares se trupit gjykues ai e ka arsyetuar mungesën përmes një shkrese në të cilën thuhet që i pandehuri ka udhëtuar në Austri.

KTV raporton se Prokurori ka kërkuar që të lëshohet urdhërarrest për të siguruar prezencën e Dakut dhe Jasharit dhe jo veçim të procedurës ashtu siç i propozoi gjyqtarja.

ky propozim po kundërshtohet nga avokatët mbrojtës.

Kryetarja e trupit gjykues ka kërkuar nga prokurorët special të dijë nëse janë të pajtimit që të veçohet lënda për dy të akuzuarit që mungojnë.

Megjithatë, prokurori special, Agim Krasniqi ka thënë se një gjë e tillë nuk është mirë të ndodhë për shkak se veprat sipas aktakuzës janë kryer në bashkëkryerje.

Shumica e avokatëve të të akuzuarve poashtu kanë kundërshtuar propozimin që rasti të veçohet.

Pas deklarimeve të palëve kundër veçimit të procedurës penale për dy nga grupi i të akuzuarve, gjykatësja Mekaj ka vendosur të veçojë procedurën për dy të akuzuarit.

Megjithatë ka thënë që gjykimi është në fazën fillestare dhe me tutje kjo lëndë serish mund të bashkohet. Përderisa ndaj këtij vendimi palët nuk kanë të drejtë ankese.

Seanca është duke vazhduar me evidentimin e të dhënave personale të të akuzuarve.

Disa nga avokatët mbrojtës kanë propozuar që të mos lexohet aktakuza për shkak që sipas tyre e kanë lexuar.

Megjithatë gjyqtarja Mekaj ka refuzuar këtë propozim. Sipas saj për shkak se Kodi i Procedurës Penale e parasheh parimin e publicitetit aktakuza do të lexohet sot para mediave dhe publikut.

Ajo ka paralajmëruar që seanca do të mbyllet vetëm kur të lexohet shtojca e aktakuzës.

Shtojca, në leximin e së cilës nuk do të kenë qasje mediat, përmban emrat e personave që dyshohet së përfituan jashtëligjshëm statusin e veteranit.