Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vdes një zyrtar policor në Jarinjë

Zyrtari i Policisë së Kosovës në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë, Rexhep Sejdiu, ka vdekur në orët e para të së dielës në Jarinjë.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, i ka thënë KOHËS se trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Për rastin është iniciuar hetim.

“Atij duhet t’i bëhet obduksion, por 95 për qind të mundësive është vdekje natyrore”, ka thënë Elshani.

Ngushëllime për zyrtarin policor Rexhep Sejdiu ka shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Edhe Situatë e qetë në Jarinjë, në dalje po realizohen kontrolle të detajuara Arbëri Situatë e qetë në Jarinjë, në dalje po realizohen kontrolle të detajuara

Ai ka shkruar në Facebook se Sejdiu do të kujtohet si zyrtar i përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, “veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit”.

“Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinjë pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantiq. Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të”, ka shkruar ministri Sveçla.