Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në orët e para të së hënës në pikën kufitare në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Policisë ai është goditur nga një veturë të cilën e drejtonte një shtetas i Shqipërisë. 

“Me datë 29.06.2026, në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 02:30, në afërsi të pikë-kalimit kufitar në Vërmicë, Komuna e Prizrenit, ka ndodhur një aksident trafiku me pasojë vdekjen e këmbësorit. Viktima është zyrtar policor R.G., 59 vjeçar i angazhuar në detyrë në pikën kufitare në Vërmicë”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Aksidenti thuhet se ka ndodhur gjatë kohës kur polici ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikë-kalimit kufitar dhe në një moment ka tentuar të kalojë rrugën. 

“Në atë çast, nga drejtimi Prizren – Vërmicë, ka ardhur një automjet i cili, duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e ka goditur viktimën me pjesën e përparme të automjetit. Si pasojë, këmbësori ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor të Prizrenit (NJRTRR) si dhe ekipi i emergjencës të cilët edhe kanë konfirmuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa ngasësi i automjetit, D.D. është ndaluar në mbajtje për 48 orë. 

Rasti thuhet se i është referuar Prokurorisë Themelore në Prizren.

Për vdekjen e pjesëtarit të Policisë kanë shkruar edhe familjarët.

“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri (vëllai) ynë Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë.

Sindikata e Policisë kërkon sigurim jetësor dhe shëndetësor pas vdekjes së policit në Vërmicë

1 muaj më parë / 29 qer 2026 15:32
polic

Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa urgjente për sigurimin jetësor dhe shëndetësor të zyrtarëve policorë, pas vdekjes së pjesëtari të PK-së të hënën gjatë orarit të punës në Vërmicë.

Në reagimin e saj, Sindikata tha se humbja e jetës së policit dëshmon edhe një herë rrezikun e madh me të cilin përballen çdo ditë zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës në shërbim të qytetarëve dhe ruajtjes së rendit publik.

Sipas Sindikatës, ky rast thekson nevojën urgjente për trajtimin e çështjeve jetike që lidhen me mirëqenien dhe mbrojtjen e policëve, duke theksuar se ata ushtrojnë detyra me përgjegjësi të lartë dhe shpesh në kushte me rrezik të shtuar për jetën dhe shëndetin.

“Humbja e jetës së një polici në krye të detyrës e rikthen edhe një herë në vëmendje nevojën urgjente për trajtimin e çështjeve jetike për zyrtarët policorë, veçanërisht sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor. Policia e Kosovës kryen detyra me përgjegjësi të lartë dhe shpesh në kushte me rrezik të shtuar për jetën dhe shëndetin e tyre. U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që sa më parë të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e këtyre çështjeve të kahershme, me qëllim që zyrtarëve policorë t’u garantohet mbrojtja dhe përkrahja që meritojnë”, thuhet në reagim.