Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog, Haki Rugova, ka vdekur mëngjesin e së mërkurës në moshën 65-vjeçare.
KOHA ka mësuar se Rugova vdiq pas një sëmundje të rëndë.
Rugova ishte kryetari i Istogut për tri mandate radhazi nga viti 2010 deri në 2021. Ai ushtroi edhe detyrën e nënkryetarit të LDK-së.
Telegram ngushëllimi për familjen Rugova ka dërguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e ka përshkruar atë si një “personalitet dhe veprimtar i dalluar i LDK-së”.
“Haki Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës. Ai gjatë gjithë jetës u angazhua pandalshëm në proceset e vështira nëpër të cilat kaloi Kosova. Për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike dhe do të mbetet model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues. Haki Rugova u nda fizikisht nga ne, por vepra e tij do të kujtohet përjetësisht. Ndarja nga jeta e tij lë një zbrastirë të madhe jo vetëm për familjen, po edhe për gjithë qytetarët e Istogut dhe gjithë Kosovës, ndërsa LDK-ja humbi veprimtarin e madh të saj”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e LDK-së.
Edhe
20 vjet nga vdekja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova
Ndërsa presidentja e Kosovës dhe ish-bashkëpartiakja e Haki Rugovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ish-kryetari i Istogut ka lënë pas një veprimtari të bujshme politike.
“Ai la pas një veprimtari të bujshme politike, të njeriut të angazhuar aktivisht që nga vitet e 90-ta. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve e bashkëveprimtarëve! Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me familjen Rugova. I përhershëm qoftë kujtimi për Haki Rugova”, përfundon telegram i Osmanit.