Arbëri

Vdekja e Vokrrit, raport i zgjeruar i KTV-së

3 maji historik, Vokrri më meritori për pranimin në UEFA e FIFA

Më 3 maj të vitit 2016, pas më shumë se dy dekadave dhe një beteje të jashtëzakonshme e pengesave të mëdha nga Serbia, futbolli i Kosovës u pranua ndërkombëtarisht, me Vokrrin si lider, që pas karrierës së bujshme si futbollist, detyrë vetes i dha, ndërkombëtarizimin e futbollit.

Pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në KON, u dha udhë të gjitha federatave për pranim, pos futbollit, transmeton KTV.

Futbolli akoma përballej me një sfidë të vështirë, e Fadil Vokrri dikur futbollisti më i mirë i Kosovës, para vetes kishte ndeshjen dhe sfidën më të vështirë e më të rëndësishme të karrierës.

Në kongresin e UEFA-së, të 40-in që po mbahej në Budapest, më në fund do të vendosej për fatin e futbollit kosovar, e në kryeqytetin hungarez, ishte një delegacion i gjerë i FFK-së, dhe një numër i madh i gazetarëve, përfshirë edhe ekipin e KTV-së që po pasqyronte ngjarjen mbase historike për futbollin e Kosovës.

Në Kongres, pikë e rëndit të ditës ishte votimi për pranimin e Kosovës, por për ta lehtësuar këtë, ishte pika e shtatë dhe ndryshimet statutore, përmes së cilave, UEFA, do të hiqte nenin e pestë, që kufizonte pranimin e shteteve vetëm nëse janë të pranuara nga OKB-ja.

Kjo pikë nuk kaloi, pasi reaguan ashpër drejtuesit e futbollit serb e malazias dhe për befasi edhe ata të Zvicrës.

Vokrri, doli në foltore para delegatëve dhe rrjedhshëm në gjuhën frënge, ai u sqaroi të gjitha federatave evropiane, pse futbolli i Kosovës duhej pranuar në UEFA.

Kishte shumë dilema dhe paqartësi lidhur me pranimin, por që të gjitha këto i hodhi poshtë, drejtori i zyrës ligjore në UEFA, anglezi Alasdair Bell, i cili me një fjali mbrojti në mënyrë të jashtëzakonshme kauzën e Kosovës.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë kompetencë për t'i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet.Ose je pjesë e OKB-së, ose nuk je. Por fakti që nuk je pjesë e OKB-së, nuk do të thotë që nuk je shtet dhe kjo është një çështje ligjore”, kishte thënë Bell.

Pas kësaj çështja e Kosovës u hodh në votim.

Janë 28 vota për, 24 kundër dhe 2 të pavlefshme, çka nënkupton se Kosova, nga ky moment, është anëtare e UEFA-së, me të drejta të plota. Anëtarja e 55-të e konfederatës evropiane.

Fadil Vokrri e Eroll Salihu, dalin triumfues para gazetarëve, të cilët mezi pritnin të merrnin emocionet e para të këtij triumfi historik.

Festa u bë më e plotë dhjetë ditë më pas, kur më 13 maj në Mexico City u vendos për pranimin e Kosovës edhe në FIFA.

Kjo i hapi rrugën futbollistëve kosovarë të thyejnë barrierat për dy dekada, dhe të luajnë ndeshje ndërkombëtare. Kosova luajti në kualifikime për Botërorin Rusi 2018, ndërsa ekipet kosovare luajtën në kualifikimet për garat evropiane.


Ish-klubet kujtojnë Vokrrin  

 


Në FIFA të dëshpëruar për Vokrrin

Shtëpia botërore e futbollit, FIFA ka nderuar kryetarin tashmë të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrrin.

Kryetari i FIFA-s, Gianni Infantino ka shprehur keqardhjen pas vdekjes së legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, transmeton KTV.

“Jam i dëshpëruar nga ky lajm. Në emër të komunitetit botëror të futbollit dhe në emër timin, i shpreh ngushëllimet më të thella, familjes së Fadil Vokrrit” ka thënë Infantino, i cili shtoi se Vokrri ishte njeriu kryesor në anëtarësimin e Kosovës në FIFA.

“Kjo ka kërkuar energji të jashtëzakonshme, besim dhe forcë bindjeje. Fadili i kishte të gjitha, ai ishte ky lloj njeriu: një shembull entuziazmi dhe vendosmërie, si dhe një udhëheqës i madh me të cilin jam krenar që e kam njohur dhe kam punuar me të” ka shtuar Infantino, në telegramin e ngushëllimit të publikuar nga FIFA në faqen zyrtare.


UEFA: Futbolli evropian mban zi për presidentin e FFK-së

Veç FIFA-s, edhe UEFA ka reaguar në faqen zyrtare të futbollit evropian.

Fadil Vokrri që pati karrierë të suksesshme si futbollist, ka qenë lider në progresin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë, që kulminoi me pranimin në si anëtare e 55-të në UEFA, në vitin 2016-të, transmeton KTV.

“Jemi të shokuar dhe thellësisht të prekur për ta dëgjuar lajmin e largimit nga jeta të Fadil Vokrrit. Ka qenë futbollist i jashtëzakonshëm dhe ka pasur karrierë të ndritur, e më pas u bë edhe drejtues dhe president i kalibrit të lartë në Federatën e Futbollit. Fadili ka qenë figura e zhvillimit të futbollit të Kosovës që e drejtoi FFK-në të bëhej anëtare e UEFA-s në vitin 2016. Në emër të futbollit Evropian, dëshiroj ta ngushëlloj familjen e tij, Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Komunitetin e Futbollit të Kosovës”, shkruhet nga Presidenti i UEFA-së, Aleksander Ceferin, në telegramin e ngushëllimit të publikuar nga UEFA në faqen zyrtare.


Vdekja e Vokrrit, e diela ditë zie në Kosovë

Futbolli i Kosovës është në zi, pasi në orët e hershme të mëngjesit, ka ndërruar jetë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ai është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare, pas një sulmi kardiak, raporton KTV.

Lajmi është bërë publik dhe është konfirmuar edhe nga familjarët e të ndjerit.

Avdush Bajgora, që ka qenë mjek kujdestar në emergjencë, ka thënë se në spital, ai ka ardhur pa shenja jete.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të dielën në Prishtinë, në ora 17:00.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se në bazë të kompetencave të tij, ka autorizuar Protokollin e shtetit që të organizojë ceremoni shtetërore të varrimit, në shenjë nderimi për legjendën e sportit.

Dita e diel në Kosovë është shpallur ditë zie.


KOK-u i tronditur për Vokrrin

Komiteti Olimpik i Kosovës, ka dërguar telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri

“Legjenda e të gjitha kohëve të futbollit kosovar, Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe nënpresident i dytë i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) nuk është më në mesin tonë, transmeton KTV.

Njeriu që kishte merita të jashtëzakonshme për anëtarësimin e futbollit kosovar në UEFA dhe FIFA. Vdekja e Vokrrit, na ka prekur e pikëlluar të gjithëve që e kemi njohur dhe kemi punuar me të.

Vokrri ishte figura më e shquar e futbollit tonë në vitet e arta të Prishtinës, duke u bërë idhull i çdo tifozi shqiptar, por jo vetëm”, thuhet në telegrafin ngushëlluese nga KOK-u.


FSHF-ja ngushëllon FFK-në

Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar telegram ngushëllim Federatës së Futbollit të Kosovës për vdekjen e kryetarit Fadil Vokrri.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të FSHF-së, Armando Duka i cili e ka cilësuar si humbje të madhe ndarjen nga jeta të ish kolegut Vokrri, transmeton KTV.

“Një humbje tmerrësisht e parakohshme nga jeta për një vlla, mik e koleg. Ndarja e tij kaq e shpejt prej nesh mbetet një humbje shumë e madhe për futbollin kosovar por edhe për të gjithë trevat shqiptarfolëse anembanë botës”, ka shkruar mes tjerash kryetari Duka.

Në fund i pari i federatës shqiptare ka thënë se ëndrra e Vokrrit për rritjen dhe zhvillimin e futbollit kosovar do të duhet të vazhdoj edhe pas vdekjes së tij.


Njoftimi pikëllues i FFK-së për Vokrrin

Federata e Futbollit të Kosovës në faqen zyrtare të saj në internet, ka njoftuar për vdekjen e kryetarit Fadil Vokrri, duke e shoqëruar atë me një fotografi të Vokrrit nga pranimi i Kosovës në FIFA.

Federata e Kosovës me pikëllim dhe dhimbje të thellë ka njoftuar opinionin për vdekjen e kryetarit të tyre, transmeton KTV.

Vokrri ishte në krye të kësaj federate prej vitit 2008, deri në ditën që u nda nga jeta duke qenë pjesë e dekadës më të rëndësishme të futbollit kosovar.


Futbollistët ngushëllojnë familjen Vokrri

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, është shprehur i shokuar me lajmin e vdekjes së legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Ylli i Kosovës u shpreh shumë i trishtuar në reagimin e tij me vdekjen e kryetarit të FFK-së, transmeton KTV.

“Jam i shokuar, nuk mund të besoj që legjenda e futbollit nuk do të jetë më në mesin tonë. Do të kujtojmë gjithmonë President, ashtu si një njeri të qeshur dhe modest, edhe atëherë kur të gjithë shqiptarët të lavdëronin për punën tënde.

Do të mbetesh frymëzimi ynë i përhershëm. Jam pa fjale por me dhimbje shumë ! Ngushëllime familjes dhe të gjithë Kosovës. Një legjendë si Fadil Vokrri nuk vdes kurrë, ai gjithmonë do te jetë me ne, me kujtimet më të mira. Faleminderit President”, ka shkruar Ujkani. në profilin e tij në Facebook.

Edhe futbollisti tjetër kosovar, Valon Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale pas vdekjes së Vokrrit.

“U prehsh në paqe legjendë. E kisha nderi që të kam njohur, do na mungosh shumë”, u shpreh Berisha në postimi e tij.

Pas vdekjes së legjendës shqiptare, ka reaguar edhe ylli i Arsenalit, Granit Xhaka.

“Ngushëllime familjes Vokrri, shpirti yt u prehtë në paqe legjenda jonë”, ka shkruar në profilin e tij në“Instagram”, futbollisti i Arsenalit.

Ngushëllime familjarëve të Vokrrit, u kanë shprehur edhe shumë futbollistë të shqiptar që aktivizohen në kampionatet evropiane dhe në Kosovë.


Futbolli kosovar në zi, klubet ngushëllojnë familjen Vokrri

Klubet e futbollit nga Kosova kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, transmeton KTV.

Kampionia e Kosovës, Drita, në faqen zyrtare në faceboook, i shpreh ngushëllime familjes së Vokrrit.

“E nderuara familje Vokrri! E nderuara Federatë e Futbollit të Kosovës! Me pikëllim e dhimbje të madhe morëm lajmin për vdekjen e z. Fadil Vokrrit. Ky lajm i kobshëm ka tronditur opinionin e gjerë sportiv”.

“Konsiderojmë se kontributi i Fadilit për sportin e Kosovës është i jashtëzakonshëm, do të jemi gjithmonë krenar që patëm rastin ta njohim dhe vlerësojmë për punën e palodhshme në ndërkombëtarizimin e futbollit tonë”, shkruan në Facebookun zyrtar të klubit.

Përveç Dritës, në rrjetet sociale ka reaguar edhe skuadra e Feronikelit.

“Klubi ynë i shpreh ngushëllime familjes, federatës, sportdashësve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Humbja e tij është një humbje e madhe për popullin tonë”, thuhet në njoftimin e klubit.

Për vdekjen e Vokrrit, kanë reaguar edhe klubet e tjera të futbollit kosovar, nga të gjitha rangjet.


Biografia e legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrrit, “Maradona i Kosovës”

I pari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë, dhe njihej si Diego Maradona shqiptar, për shkak të stilit të lojës. Me futboll është marrë që nga mosha 15-vjeçare, ndërsa dy vjet më pas debutoi në KF Llapi në Podujevë.

Në vitin 1980, iu bashkua FC Prishtinës, skuadër me të cilën luajti në 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola në Ligën e Dytë, ndërsa në Ligën e Parë të Jugosllavisë, me fanellën “Bardhekaltër”, pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola.

Periudha e artë e Vokrrit filloi në vitin 1984, kur debutoi në përfaqësuesen e Jugosllavisë, me të cilën luajti 12 lojë dhe shënoi 6 herë.

Dy vjet më pas, u transferua te Partizani i Beogradit dhe shënoi 13 gola në 27 ballafaqimet ku ai ishte i pranishëm, raporton KTV.

vitin 1984, e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi e barti Flamurin Olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë, ndërsa tri vjet më pas u shpall edhe lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Në vitin 1989, Vokrri u transferua te skuadra Nimes në Francë dhe më pas te Fenerbahçe, ku pati sukses në vitet 1990/1992. Më pas u kthye në Francë, ku jetoi me familjen, ndërsa futbollin e vazhdoi edhe për disa vjet me skuadra të niveleve më të ulëta si Bourges Montluçon, para përfundimit të karrierës.

Prej vitit 2008, ishte në pozitën e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe e drejtoi FFK-në në pranimin me të drejta të plota në UEFA e FIFA.

Në fillim të vitit 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si Kryetar i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, ndërsa zotëronte gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. La prapa bashkëshorten Editën dhe tre fëmijët, Gramozin, Albertin dhe Albanën.

KOHA, e në veçanti redaksia e Sportit në KTV, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Vokrri.


Bashkëpunëtorët kujtojnë me lot në sy Fadil Vokrrin

Ndarja nga jeta e kryetarit të Federatës së futbollit të Kosovës, Fadi Vokrri, i ka shokuar të gjithë në Kosovë dhe më gjerë.

Trajnerë e bashkëpunëtor, e kanë kujtuar Vokrrin me lot në sy, duke e vlerësuar lartë punën e tij që ka bërë për avancimin e futbollit të Kosovës, raporton KTV.

Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, që ishte njeriu më i afërt i Vokrrit, është tronditur pas lajmit që mori se shoku i tij ka ndërruar jetë.

Për legjendën e futbollit, folën edhe trajneri i Kosovës U19, Ramiz Krasniqi, trajneri Ismet Munshi dhe kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, të cilët kishin shkuar në zyret e FFK-së pasi kishin marr lajmin.

Fadil Vokrri, cilësohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave i futbollit kosovar si dhe personi kyç në pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.


Vdekja e Fadil Vokrrit shokon sportdashësit

Futbolli i Kosovës është në zi, pasi në orët e hershme të mëngjesit, është ndarë nga jeta kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ai është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare, pas një sulmi në zemër, raporton KTV.

Lajmin për ndarjen nga jeta të kryetarit Vokrri e ka konfirmuar edhe Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Avdush Bajgora, që ka qenë mjek kujdestar në emergjencë, ka thënë se në spital, Vokrri ka mbërritur pa shenja jete dhe ata vetëm se e kanë konfirmuar vdekjen.

Ai do të varroset nesër në orën 17:00.

Në nderim të tij, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ditën e diel e ka shpallur ditë zie.

Ndërsa në reagimin në rrjetin social “Facebook”, Thaçi ka shkruar ta ketë marrë me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë lajmin për vdekjen e parakohshme të Fadil Vokrrit.

“Ngushëllime familjes, miqve dhe tifozëve. U prehsh në paqe Kapiten”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri Haradinaj, gjatë ditës, ka qëndruar në ambientet e FFK-së, për t’iu shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të Vokrrit.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka shkruar se Vokrri kishte rol vendimtar në anëtarësimin e Kosovës ne UEFA dhe FIFA.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkruar në Facebook se stadiumi i qytetit të Prishtinës me nder do ta mbajë emrin e tij.

“Një jetë plotë suksese, e duke pritur sukseset e radhës së ngritjes së përfaqësueses së Kosovës. Vështirë i zëvendësueshëm në çdo pozitë që luajti e që mbajti,” ka shkruar Ahmeti.

Vokrri ka qenë në krye të Federatës së Futbollit tonë që prej vitit 2008 dhe ishte meritor për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Për vdekjen e Vokrrit kanë shprehur ngushëllime edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe liderë të tjerë shtetërorë e politikë.