Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Në trevjetorin e vdekjes, Vokrri kujtohet si një nga personalitetet më të shquara të futbollit kosovar

Sot, 9 qershor, janë bërë tri vjet nga vdekja e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Futbollisti legjendar dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës është kujtuar në trevjetor të vdekjes si një nga personalitetet më të shquara të futbollit në vend dhe jashtë tij.

Në një letër kujtimi për Vokrrin, kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se emri i tij ishte dhe mbete simbol e pjesë e motivimit të brezave të rinj.

“Ishe dhe do të mbetesh njëri nga personalitetet më të shquara të futbollit mbarëkombëtar dhe jo vetëm. Kontributi yt është shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit tonë, teksa stadiumi që mban emrin tënd tashmë është shtëpia më e dashur jo vetëm e futbollistëve, por e tërë popullit të Kosovës”, ka shkruar ndër tjerash ai.

Në tre vjetorin e vdekjes së legjendës së futbollit Fadil Vokrri, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë nderuar veprën dhe jetën e tij. Ata bënë homazhe dhe vendosën kurorë lulesh te varri i Vokrrit, në varrezat e lagjes “Arbëria”, në Prishtinë.

Kurti e ka vlerësuar lartë personalitetin e Vokrrit si futbollist dhe si më meritorin për pranimin e Kosovës në federatat ndërkombëtare të futbollit.

“Fitoret e klubit të futbollit ‘Prishtina’ ishin të lidhura me emrin e tij. Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij, ai e pushtonte fushën. Kështu ishte edhe në Federatë. Punoi shumë e pa u lodhur për pasionin e sportistëve tanë”, ka thënë Kurti.