Imer Shehu ishte në mesin e 10 mijë vullnetarëve në Britani të Madhe që morën pjesë në testimin e vaksinës anti-COVID në vitin 2020.
Shehu nga Kaçaniku, në emisionin “SOT” në KTV ka treguar arsyet që e shtynë atë të bëhej pjesë e grupit të vullnetarëave.
Ai ka treguar se kur filloi viktima e parë në mars të vitit 2020 në Londër, ndër viktimat e para nga COVID-19 kishte qenë një mik i tij.
“Viktima e parë ishte miku im i ngushtë Naseri nga Ferizaji, na ka prek të gjithëve në Londër në komunitetin kosovar. Nuk ishim në gjendje të merrnim pjesë as në varrmin e tij, ishte e rëndë. Në vitin 2020 ishte pikëpyetje kur filloi të bëhej hapja, nëse mund ta vizitojë familjen në Kosovë. Udhëtuam në Kosovë më 21 korrik të vitit 2020”, ka treguar Shehu.
Ai ka treguar se pas dy javëve nisën rastet me COVID në familje. Ndërsa si pasojë nga COVID i vdiq babai, axha dhe halla.
“Babai im i pari u infektua me COVID, e shumë shpejt vdiq. E pata edhe nënën me COVID, thuajse gjithë familja ishim. Më pas më lindi dyshimi nëse e solla COVID-in unë apo vëllai im, pasi edhe ai jeton në Britani. U detyrova të bëja diçka pas vdekjes së babait tim në Ferizaj. Isha i mendimit se duhet të bëja diçka. Kishte çdo ditë vdekje. Nuk më vdiq vetëm babai, por edhe axha e halla”, ka treguar Shehu.
Ai ka shtuar se kishte frikë të merrte pjesë si vullnetarë.
“Frika ishte, por ishte motivi të bëja diçka. Mëdyshja e vetme ishte se mos po mbetem invalid, pasi vdekjen nuk e mendoja. Sot që është bërë hapja, ka qenë meritë e ne vullnetarëve, s’po flas vetëm për vete, kishte edhe meksikanë, brazilian, mos të flasë për anglezë e skocezë”, tha Shehu.
Ai ka treguar se kishte kokëdhembje të mëdha dhe lodhje të trupit pas marrjes së vaksinës.
“Vullnetarëve s’na linin të merrnim paracetamol, donin të shikonin sa qëndrojmë me dhembje koke”, ka thënë Shehu.
Ai ka treguar se gjatë gjithë kohës ka qenë në kontakt me profesorin Lul Raka. Ndërsa ka treguar edhe për fyerjet që kishte marrë.
“E dija që ai që më fyen, nesër do ta marrë vaksinën”, tha Shehu.
Ai inkurajon të gjithë të vaksinohen. Thotë se njeh persona që ende nuk kanë marrë asnjë dozë.
“I lus qytetarët të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur, dëgjoni mjekët. Shikoni në kulmin e pandemisë sa mjekë vdiqën, që ishin në vijën e parë të frontit. Sa policë vdiqën e sa qytetarë”, ka shtuar Shehu.
Ai ka treguar se do të bëhet vullnetarë për të testuar edhe vaksinën për tumor në tru.
“Do të dal vullnetar edhe për kërkimin e shërimit të tumorit në tru. Do të jem ndër vullnetarët”, tha kaçanikasi.
VIDEO: