Dëshmitari John Duncan ka treguar në Hagë se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk kishte hierarki dhe strukturë të komandimit nga lart-poshtë.
Kjo deklaratë e Duncan erdhi pasi u pyet nga gjyqtari Fergal Gaynor se një lëvizje me 20 deri në 30 mijë ushtarë të demilitarizohen nga një marrëveshje e nënshkruar nga Hashim Thaçi, a nuk rezulton se ai ka ushtruar efektivisht kontroll dhe komandë mbi ata, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jo sepse bëhej fjalë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk është se kishin hierarki nga lart-poshtë. Këtë jam përpjekur t’ua shpjegoj gjatë gjithë kohës, mbase nuk jam shpjeguar mirë. Megjithatë, të gjithë aktorët në proces, kishin interes jo se ai kishte kontrollë dhe komandë, por se të gjitha palët ishin të interesuara që marrëveshja të ndodhte. Kjo nuk ka të bëjë fare me komandën dhe kontrollin. Është një çështje diplomatike se si të gjitha palët pajtohen për objektivin. Për aq sa kohë që të gjithë pajtohen me zbatimin, nuk është fare e rëndësishme dhe nuk mendoj se çështja e komandës dhe kontrollit është përgjigja se si ka funksionuar se pse u realizua kjo marrëveshje. Nuk e mendoj këtë gjë”, tha dëshmitari.
Seanca është mbyllur për të martën dhe ajo e radhës mbahet të hënën. Gjatë javës së ardhshme pritet të dëgjohen dy dëshmitarë.
Duncan: Çeku ishte krahu ushtarak, Thaçi e Krasniqi kryenin funksione politike
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari John Duncan tha se gjatë negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së demilitarizimit, Agim Çeku ishte krahu ushtarak ndërsa Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi ishin ai politik.
“Çeku ishte shefi i krahut ushtarak. Ndërsa, zoti Thaçi dhe zoti Krasniqi kryenin funksione politike”, tha Duncan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç kësaj, Duncan tha se gjatë negociatave, s’e ka parë asnjëherë Thaçin ose Krasniqin të përfshihen në diskutime ushtarake përveç atyre politike.
“Nga gjithë ajo që kam parë në negociatat për atë marrëveshje, zoti Thaçi dhe zoti Krasniqi asnjëherë nuk janë futur në çështje ushtarake. Në asnjë rast nuk kam parë as njërin as tjetrin të jenë futur në çështje ushtarake. Ata kanë folur vetëm për aspekte politike. Po ashtu, zoti Çeku ka folur vetëm për çështje ushtarake dhe nuk ka folur për çështje politike. Kështu që duhet bërë një dallim praktik lidhur me këtë bisedë dhe rolin që ata kanë pasur”, tha Duncan.
Përpara kësaj, dëshmitari Duncan bëri ndarjen e këtyre dy kaheve të UÇK-së sipas pikëpamjes së tij.
“Dy kahet kishin role të veçanta por nuk kam thënë në asnjë moment që këto dyja ishin organe tërësisht të veçanta. Ishte e vështirë që të bëhej dallimi midis atyre që kishin qenë aktiv në operacione në terren ose persona që kishin marrë pjesë në operacione-luftime në terren dhe atyre që kishin zgjedhur të kenë funksione politike. Domethënë s’i ta bësh dallimin e prerë me thikë. Sigurisht që nuk mund të kesh një dallim të prerë me thikë por këta janë persona që kryejnë funksione të ndryshme dhe kjo është mënyra më e mirë që unë mund të shprehem për të iu bërë juve të qartë se kishte një krah politik dhe një krah ushtarak”, tha ai.
Sipas tij, kishte persona që fillimisht kanë qenë të përfshirë në luftime e që më pastaj kanë marrë role politike.
“Domethënë organizata guerile ishte e zakontë që të bëhej një ndarje e tillë. Kishte persona që fillimisht më shumë ishin përfshirë në luftime dhe pastaj me kalimin e kohës kishin marrë role politike”, tha ai.
Duncan - gjyqtarit: S’kemi parë prova që ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari John Duncan tha se ka një pikëpyetje se pse nuk ka dëgjuar asnjëherë për Shtabin e Përgjithshëm ndonëse përmendet në aktakuzë dhe e dinë se si organ është krijuar nga viti 1994.
“Për mua tani kam një pikëpyetje e cila është se pse nuk kemi dëgjuar asnjëherë për Shtabin e Përgjithshëm ne me përjashtim të rasteve të deklaratave duke përdorur fjalët propagandiste. Ne kishim propozimin për këtë marrëveshje dhe nënshkrimet e para dhe atje gjenerali Çeku nuk e ka përdorur këtë titull. Unë jam në dijeni të faktit që ka ekzistuar një organ Shtab i Përgjithshëm që është në aktakuzë dhe më duket se është krijuar më 1994. Tani pikëpyetja për mua është kjo; Çfarë funksioni ka pasur ky organ gjatë konfliktit, dhe pse asnjëherë nuk e na e kanë përmendur dhe as nuk kemi parë asnjë provë të paktën sa kam parë unë që të ketë ekzistuar ky organ-ky Shtabi i Përgjithshëm”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kjo do të ishte pyetja ime e radhës për ju. A keni parë ndonjëherë ndonjë dokumentacion të Shtabit të Përgjithshëm..”, tha gjyqtari Guénaël Mettraux.
Por, dëshmitari mohoi të ketë dijeni për këtë gjë.
“Jo me sa kam dijeni. Nuk kam dijeni për diçka të tillë. Por, ajo që kemi parë ne, ka qenë roli i komandantëve të zonave, roli i Çekut dhe struktura ushtarake siç ai na e ka përshkruar dhe na kanë thënë që jam komandat i kësaj strukture. Ka qenë titull tjetër pra. Tani për mua nuk është e qartë kjo që po shoh dhe as gjatë asaj kohe”, tha Duncan.
Gjyqtari Mettraux i tha dëshmitarit se nuk po e qorton dhe vazhdoi me pyetjen se a e dinte se kur Çeku ishte bërë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se si rregull duhej ta dinte por që nuk e di as datën.
Deklarata e dëshmitarit erdhi pasi iu prezantua një dokument për të cilin dëshmitari tha se nuk e ka parë asnjëherë.
Dëshmitari Duncan pohoi se duket si një dokument që flet për aspekte ushtarake dhe operative që lidhen me luftën. Dokumenti i njëjtë ishte i nënshkruar nga Agim Çeku në cilësinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Duncan tha se e kanë kuptuar që pushtetin e kishin komandantët e zonave dhe Agim Çeku. Ndërsa, sipas tij nëse do të ishte një organ i quajtur Shtab i Përgjithshëm funksional, atëherë do iu drejtoheshin atij.
“Nuk e bëmë se siç thash ne nuk e pamë këtë Shtab të Përgjithshëm. Nuk kemi parë asnjë provë të ekzistencës së Shtabit të Përgjithshëm. E di që ishte krijuar diçka në të shkuarën, kishte disa deklarata publike dhe arsyeja se pse unë shkova në Tiranë dhe nuk shkova në Lubljanë ishte se na u ishte thënë se personat që duhej të komunikonim dhe bashkëpunonim ndër të tjerët ishte edhe gjeneral Çeku i cili tha se personat që duhet të kemi në palët tonë duhet të ishin komandantët e zonave”, tha dëshmitari.
Pas kësaj, për të diskutuar për disa çështje konfidenciale, seanca kaloi në sesion privat për publikun. Si rrjedhojë, kur u hap seanca, gjyqtari Mettraux kishte përfunduar pyetjet dhe me pyetje vazhdoi gjyqtari Fergal Gaynor.
Duncan për Marrëveshjen e demilitarizimit: S’pranuam që Thaçi të nënshkruante në cilësinë e kryeministrit
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari John Duncan tha se ata nuk kanë pranuar që Marrëveshja e Demilitarizimit të nënshkruhet nga Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit të qeverisë së përkohshme.
Kjo deklaratë erdhi pasi dëshmitari u pyet nëse Thaçi dëshironte që ta nënshkruante marrëveshjen si kryeministër, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se po kërkohen hollësi për negociata që kanë zgjatur 13 orë e që ka qenë e dyta më e gjatë në të gjithë karrierën e tij.
“Nëse më kujtohet si duhet dhe nëse keni prova të tjera, mund të më korrigjoni; Na thanë që duhet të nënshkruante zoti Thaçi dhe jo gjenerali Çeku dhe përgjigja jonë ishte; se nëse e doni këtë gjë, ne jemi të gatshëm ta pranojmë një gjë të tillë – por, ne nuk do ta pranojmë këtë në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme pasi do të minonte të tërë operacionin. Prandaj, arritëm në kompromisin që kishim arritur në dy ditët e shkuara”, tha dëshmitari.
Duncan theksoi se UÇK-ja dëshironte që ky dokument i marrëveshjes, në mënyrë të tërthortë të ishte edhe pranim i Kosovës.
“Ne, iu kemi thënë që nuk mund ta pranojmë këtë gjuhë dhe e shpjeguam përsëri. Kjo ka vazhduar gjatë gjithë kohës derisa i mbaruam bisedimet”, tha ai.
Duncan për shqiptarët e Shqipërisë: Më 1999 kishin rreth 40% të prostitucionit në Evropën Perëndimore
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, diplomati britanik John Duncan tha se grupe kriminale nga Shqipëria po hynin në Kosovë me valën e kthimit të refugjatëve në vitin 1999 pas mbarimit të luftës.
Sipas tij, gjatë kësaj kohe, krimi i organizuar i shqiptarëve të Shqipërisë ishte i vështirë të përshkruhej. Tha se këta persona kishin rreth 40% të prostitucionit në Evropën Perëndimore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Për të përshkruar krimin e organizuar shqiptar është e vështirë. Thjesht ishin grupe personash shumë aktiv asokohe. Ata kishin rreth 40% të prostitucionit në Evropën Perëndimore”, tha ai.
Ndonëse kjo dukuri s’u shfaq në Kosovë, Duncan deklaroi se shqiptarët e Shqipërisë merreshin edhe me trafikim armësh e lëndë narkotike.
“Pra, bëhej fjalë për trafikim të lëndëve narkotike, bëhej fjalë për trafikim armësh. Mbase në këtë rast nuk ishte prostitucioni por bëhej fjalë për të gjithë spektrin e krimit të organizuar”, tha ai.
Dëshmitari u pyet se a kishte të bënte kjo edhe me trafikim me qenie njerëzore, e që këtë gjë e mohoi Duncan.
“Padyshim që edhe trafikim me qenie njerëzore”, tha Duncan.
Sipas Duncanm këta persona nuk dallonin përkatësi etnike ndaj kujt të kryenin krime.
“Këta njerëz të paskrupullt, kë të mundnin, kë të gjenin… shfrytëzonin çdo mundësi dhe çdo person që mundnin”, tha Duncan.
Me kaq përfunduan pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe për këtë dëshmitar për të vazhduar më pas me pyetje gjyqtari Mettraux.
John Duncan për Kadri Veselin: Ishte person me funksion të lartë në zbulim
Dëshmitari John Duncan duke iu referuar një videoje të një takimi që ishte mbajtur në mes komandantëve të zonave dhe persona të tjerë nga UÇK-ja ku zhvilloheshin negociatat për Marrëveshjen e Demilitarizimit, tha se Kadri Veselin ishte një person me funksion të lart në zbulim.
“Me sa më kujtohet mua, është një person me funksion të lartë dhe në funksionin policor dhe të zbulimit”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se nuk e thotë dot se si e di këtë gjë për Kadri Veselin.
Prokurori Matt Halling pyeti dëshmitarin se a ka arsye për të kundërshtuar nëse i thuhet se ky person është Kadri Veseli. Duncan tha se nuk ka arsye për ta bërë një gjë të tillë.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi tjetër në të cilën shiheshin katër persona që për tre prej tyre tha se kanë qenë komandantë të zonave, duke përfshirë edhe Rrustem Mustafën-Remin.