Përplasjet politike vetëm sa janë rritur në Shqipëri pas protestës së të shtunës, ku u raportua për shumë të lënduar e përdorim të gazit lotsjellës me afat të skaduar. Kryetari i partisë opozitare, PD, Sali Berisha, ka fajësuar Qeverinë për dhunë të pakontrolluar e kryeministri Edi Rama i ka quajtur veprimet e protestuesve me jashtëqitje, teksa për Berishën ka thënë se është i lajthitur
Përplasje të forta mes opozitës dhe Qeverisë në Shqipëri janë shënuar edhe të dielën, një ditë pas protestës së dhunshme kundër qeverisjes së Edi Ramës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka fajësuar Qeverinë e Edi Ramës për arrestime arbitrare, përdorim të gazit lotsjellës me afat të skaduar e dhunë të pakontrolluar ndaj protestuesve.
“Përdori dhunë të egër ndaj protestuesve, goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës i cili në konventa ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe s’mund të përdoret kurrë ndaj protestave...U përdorën topa të ujit dhe mjete tjera, u goditën me shkopinj, u ndaluan brutalisht në akte që lartësohen në krime kundër njerëzimit, fëmijë 10-vjec tek dilte nga xhamia, 10-vjeçari Romeo dhe s’kishte lidhje me protestën”, ka thënë Berisha.
Në konferencën e së dielës, Berisha ka shprehur bindjen se rinia do ta rrëzojë Ramën nga pushteti.
“U dominua nga guximi, energjia dhe vendosmëria e të rinjve. Një ogur i bardhë shumë për shqiptarët, një shpresë e vërtetë se do të jenë të rinj dhe gjenerata e tyre ata të cilët do ta përmbysin, do të largojnë nga pushteti këtë organizatë kriminale”, ka thënë ai.
E kryeministri Rama, në reagimin për dhunën, ka aluduar se protestuesit janë mercenarë të paguar nga PD-ja.
“Po qysh nga koha e partive famëkëqija të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Evropë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!”, është shprehur Rama.
Rama i ka krahasuar veprimet e protestuesve me jashtëqitje, tek e ka quajtur Berishën plak të lajthitur.
Ai po ashtu u ka dëshiruar shërim të shpejtë policëve të lënduar e Berisha ka mohuar se është lënduar ndonjë zyrtar në uniformë.
Policia, në njoftimin pas protestës, ka bërë të ditur se të paktën 11 policë janë lënduar.
E Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka kërkuar “sqarim të menjëhershëm dhe transparent nga autoritetet për përdorimin e gazit lotsjellës me afat të skaduar”, derisa u ka bërë thirrje redaksive që t’i pajisin gazetarët me mjete mbrojtëse për mbulim të protestave të tilla.