Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vatovci: Pa u shfaqur në Kosovë, nuk e kam marrë seriozisht ekzistencën e virusit

Vlora Vatovci nga Vushtrria rrëfeu betejën e saj me COVID-19 në “Pandemia në vetën e parë” në KTV. Vatovci tregoi vështirësitë e saj në betejën me “armikun e padukshëm”, duke rrëfyer sesi në fillim, ende pa ardhur në Kosovë, ajo nuk e mori seriozisht çështjen e virusit e pastaj u mundua ta mbronte vajzën e saj e cila ishte me probleme shëndetësore, duke e ruajtur ekspozimin e saj ndaj virusit.

“Për ekzistencën e virusit kam dëgjuar vetëm përmes lajmeve, por më është dukur larg dhe nuk e kam marr shumë serioze. Në mars, kur janë shfaqur rastet e para në Kosovë, kam filluar të stresohem. Vajzën e kam me sëmundje, dhe kur ka filluar virusi, e kam lut vajzën dhe dy djemtë që të tregohen më të kujdesshëm në shkollë, sidomos me vajzën. Simptomat e para të COVID-19 ishin kur në një mbrëmje më bllokuar fryma, dhe dy netë të radhës kam qenë pa gjumë. Nuk kam dyshuar te virusi, por pas dy ditëve nisën kokë dhimbjet dhe shkova në Emergjencë në Vushtrri, ku më thanë se izolohu dhe nëse ke ende shenja, duhet testuar. Kjo gjendje e rëndë ka vazhduar ditët në vijim. Nuk jam testuar për shkak të neglizhencës së mjekëve. E thirra mjekun familjar në telefon, të cilit i besoj shumë, ia tregova simptomat dhe më tha që jam me COVID-19. Pasi e kalova virusin, kam qenë më e sëmurë. Ishin pasojat e virusit”, u shpreh Vatovci.

Vatovci shton se ishte vajza e saj me probleme shëndetësore ajo që e shtyri ta fitonte betejën me COVID-19.

“Sa i përket vajzës, prej që kanë nisur simptomat e para, jam mbrojtur me maska dhe dorëza në shtëpi. Falë vajzës që e kam të sëmurë, unë e kam kaluar virusin. Shumë i vështirë ka qenë distancimi me vajzën. Kemi hangër buk veç e veç. Fatmirësisht, vajza e sëmurë nuk u prek nga virusi, por vajza e madhe po. Vajzën nuk e kam dërguar as në spital gjatë pandemisë, as në publik e as në privat. Të gjitha konsultimet me mjekët i kam kryer në telefon. Vajza duhet t’i kryejë analizat gjeneralë çdo tre javë, po gati një vit nuk ka bërë kurrëfarë analize nga frika e koronavirusit. Fatmirësisht, analizat i kanë dalë mirë”, deklaroi Vatovci.

Ajo në fund bëri thirrje që njerëzit të jenë sa më të kujdesshëm, pasi virusi është shumë i rrezikshëm.