Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Varhelyi në Tiranë: Diskutuam për përshpejtimin e integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ka thënë se në takimin joformal të së hënës në Tiranë, është diskutuar se si të përshpejtohet integrimi ekonomik dhe social i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Varhelyi ka thënë se me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor që ishin të pranishëm në takim kanë folur mbi Strategjinë e Re të Rritjes për këtë rajon.

“I ftuar nga kryeministri Edi Rama në Tiranë për të diskutuar se si të përshpejtohet integrimi ekonomik dhe social i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Së bashku me kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, folëm mbi Strategjinë e Re të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Jemi të përkushtuar që ta zbatojmë shpejt këtë plan konvergjence”, është shprehur Varhelyi.