Mbështetje më e madhe financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor është kërkuar nga Bashkimi Evropian në takimin joformal që është zhvilluar të hënën në Tiranë. Në këtë takim të ftuar nga kryeministri Edi Rama, krahas kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mori pjesë edhe komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, por mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka pranuar të komentojë lidhur me mungesën e homologut të tij nga Kosova, Albin Kurti, në takimin joformal me komisionerin e BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.
Në këtë takim të mbajtur të hënën në Tiranë morën pjesë kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Rama nuk e ka konsideruar me interes të flasë për mungesën e Kurtit.
“Nuk shoh asnjë interes, sepse ishin të gjithë të ftuar, se kush deshi erdhi dhe kush s`mundi s`erdhi”, ka thënë Rama.
Kryeministri Kurti nuk mori pjesë në takimin e ftuar nga Rama me arsyetimin se muaj më parë ka konfirmuar pjesëmarrjen në një simpozium në Greqi.
Ndërkohë komisioneri i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se kanë diskutuar se si të përshpejtohet integrimi ekonomik e social i vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“I ftuar nga kryeministri Edi Rama në Tiranë për të diskutuar se si të përshpejtohet integrimi ekonomik dhe social i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Së bashku me kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, folëm mbi Strategjinë e Re të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Jemi të përkushtuar që ta zbatojmë shpejt këtë plan konvergjence”, ka thënë Varhelyi.
E Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor paralelisht me negociatat për anëtarësim në BE duhet të kenë mbështetje shtesë financiare.
“Për se si në njërën anë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten më shumë financiarisht dhe për si nga ana tjetër vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’ju hapen disa shtigje të integrimit në tregun e Bashkimit Evropian, pa pritur që ato të anëtarësohen në BE”, ka shtuar Rama.
Ky takim ishte përgatitor dhe shërbim për Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë e ku Kurti e ka konfirmuar pjesëmarrjen.