Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vakum kushtetues për vazhdimin e ngërçit politik rreth presidentit

Presidenca

Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh qartë se çfarë ndodh në rast se procedurat për zgjedhjen e presidentit nuk nisin fare. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka quajtur këtë “terren të pashkelur”, ndërsa në opozitë e kanë kualifikuar shkelje të rendit kushtetues moskonsumimin e kësaj procedure. E, profesori Enver Hasani ka theksuar se nuk ka pasoja juridike nëse shkelet ky afat

Afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon në mesnatën e së enjtes. 

Neni 86 i Kushtetutës parasheh se zgjedhja duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. E neni 82 përcakton që në rast se brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës nuk zgjidhet presidenti, atëherë shpërndahet Kuvendi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh askund situatën se çfarë duhet të ndodhë po qe se nuk nisin fare procedurat për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, të cilat marrin start kur në garë janë të pranuar së paku dy kandidatë.

Një ditë më parë, situatën me mungesën e një kundërkandidati për emrin e propozuar për president nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka quajtur terren të pashkelur.

“Hymë në një terren tjetër. Shpeshherë quhet terren i pashkelur. Unë mendoj që kur të hyjmë në datën 6, gjithçka pastaj mund të kontestohet ose do të jetë objekt në Gjykatën Kushtetuese, prandaj uroj të mos shkojmë në situata të tilla”, ka thënë ajo të mërkurën.

Deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se LVV-ja është duke u përgatitur që të mos e mbajë fare seancën për zgjedhjen e presidentit. E këtë gjë, ai e ka quajtur përmbysje të rendit kushtetues.

“Kjo që as mos me zgjedh e as mos me konsumu procedurën është shkelje e Kushtetutës dhe po bëhet me qëllim që të përmbytet rendi kushtetues dhe me ia nënshtru krejt rendin kushtetues vullnetit të një partie”, ka theksuar Gruda.

E, Enver Hasani, i cili është profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, pati thënë në “Interaktiv” të KTV-së që në rast se procedurat nuk nisin, atëherë pas përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, pozitën e saj e merr kryetarja e Kuvendit, si ushtruese e detyrës.
Ai ka theksuar se këtë funksion, Haxhiu mund ta ushtrojë deri në 6 muaj dhe se pas kësaj periudhe me automatizëm shpallen zgjedhjet, po qe se deri atëherë LVV-ja, si parti e parë, nuk arrin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Nëse kalon në afatin kur i kalon zonjës Osmani mandati, prej të nesërmes, e merr ushtruesja e detyrës, më 5 prill të shkojë në zyrë atje... Nëse shkelet ky afat kushtetues sot për sot pasoja juridike nuk ka, meqenëse ne jemi sistem parlamentar dhe shefi i shtetit nuk ka ingerenca të shpërndarjes së Parlamentit, jashtë atyre që janë të përcaktuara në dispozitat për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar Hasani.

Në situatën aktuale janë dy rrethana se si mund të shpërndahet Kuvendi dhe që shteti të shkojë në zgjedhje të reja.

Opsioni më i mundshëm është ai kur konsumohen tri runde votimi dhe presidenti megjithëkëtë nuk zgjidhet, si dhe ai i konsumimit të afatit 60-ditor nga fillimi i procedurës së zgjedhjes së presidentit.

Deri tash, vetëm Glauk Konjufca është nominuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e presidentit.