Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ushtari i KFOR-it ia numëron Rakiqit dhunën e serbëve

Një ushtar i KFOR-it në Zveçan ia ka përmendur kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, disa herë dhunën që ndodhi në Zveçan të hënën.

Ushtari amerikan, që kishte biseduar me krerët e Listës Serbe edhe të hënën, i tha Rakiqit e nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, se 25 ushtarë të KFOR-it janë plagosur, prej tyre edhe me plumba.

“25 ushtarë. 25 ushtarë të KFOR-it janë plagosur. Disa prej tyre kishin plagë me armë zjarri. Disa ushtarë të KFOR-it janë plagosur nga arma e zjarrit, jo shumë larg nga aty ku folëm të hënën mbrëma. Shenjat në plumba tregojnë se është shtënë me të nga një armë, të cilën nuk e ka NATO apo KFOR-i. Armët që kanë shtënë ato plumba nuk kanë qenë këtu. Është absolutisht e papranueshme”, ka thënë ushtari të mërkurën në Zveçan, në një bisedim me krerët e Listës Serbe.

E Rakiq dhe Simiq u munduan t’ia linin fajin Njësitit Special të Policisë së Kosovës, duke thënë se ata ishin aty afër.

Rakiq në anën tjetër ka arsyetuar sulmet e serbëve karshi ushtarëve të KFOR-it dhe dëmtimin e veturave nga po të njëjtit protestues.

“Terror në popullin serb. Gjithë ditën po ndalin vetura, arrestojnë njerëz. Nëse gjejnë ndonjë flamur të Serbisë në veturë, apo shkruan diçka në fanellë e nuk ju pëlqen. Pak më herët një veturë e Policisë me armët e gjata kaloi këtu afër, dhe provokoi qytetarët. E qytetarët reaguan, dhe hodhën gurë në drejtim të veturës. Arsyeja pse erdhëm te ju. Nëse keni forcë që ushtarët e juaj të jenë këtu përreth, të mos vijë te kontakti mes Policisë e qytetarëve. Gjithë ditën luftojmë, qytetarët e gjithë ne të ruajmë paqen me çdo çmim. Por nëse nuk e mbyllni këtë rrugë, do të ketë fjalë për fjalë tensione”, ka thënë ai.

 

Artikuj të ngjashëm