Ndonëse protestat e organizuara në tri komunat me shumicë serbe në veri, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok, ishin më të qeta se ditëve të kaluara, megjithatë nuk munguan sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe mediave. Policia ka njoftuar për një pjesëtar të saj të lënduar në Zveçan nga hedhja e gurëve e për pengim e sulme ndaj gazetarëve. Në krye të protestave të mërkurën janë parë sërish drejtues të Listës Serbe, të cilët kanë thënë se për ta janë të padëshiruar - kryetarët e dalë nga zgjedhjet e fundit dhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar nga sulmi me gurë i protestuesve të mbledhur para objektit të Komunës në Zveçan, të mërkurën pasdite, në tubimin që ndryshe nga ditët e tjera është cilësuar më i qetë. Në njoftimin e Policisë është thënë se gurët janë hedhur në drejtim të tri automjeteve të Policisë. Protesta për të kundërshtuar punën e kryetarëve të dalë nga zgjedhjet e fundit lokale, përveç në Zveçan pati edhe në Leposaviq e Zubin-Potok.
“Fillimisht protesta ishte e qetë, por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre u janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policor ka pësuar lëndime”.
Në komunikatën drejtuar mediave, Policia ka njoftuar se në protestë janë penguar e sulmuar disa gazetarë, e po ashtu disa nga veturat e tyre janë dëmtuar nga grupe kriminale.
“Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit. Ne jemi të përkushtuar të hetojmë këto akte kriminale dhe të parandalojmë shfaqjen e dhunës. Njëkohësisht Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë protestuesve që të përmbahen nga dhuna dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Protesta në Zveçan, aty ky dy ditët e kaluara pati aktivitete të dhunshme nga ana e protestuesve, nisi e qetë. Por kjo zgjati deri në orët e pasdites, kur pranë objektit të Komunës kaloi policia e Kosovës. Protestuesit, në ballë të të cilëve ishin drejtuesit e Listës Serbe, e qëlluan me gurë veturën e Policisë.
Kryetari i këtij subjekti politik, Goran Rakiq, iu ankua për praninë e policisë një ushtaraku të KFOR-it.
“Pak më herët një veturë e Policisë me armë të gjatë kaloi këtu afër dhe provokoi qytetarët. E qytetarët reaguan dhe hodhën gurë në drejtim të veturës. Arsyeja pse erdhëm te ju: Nëse keni forcë që ushtarët e juaj të jenë këtu përreth në kryqëzim, të mos vijë te kontakti mes policisë e qytetarëve”, ka thënë Rakiq.
Por ushtaraku i NATO-s ia rikujtoi atij dhunën që protestuesit serbë ushtruan dy ditë më parë.
“25 ushtarë. 25 ushtarë të KFOR-it janë plagosur. Disa prej tyre kishin plagë me armë zjarri. Disa ushtarë të KFOR-it janë plagosur nga arma e zjarrit, jo shumë larg nga aty ku folëm të hënën mbrëma. Shenjat në plumba tregojnë se është shtënë mbi ta nga një armë, të cilën nuk e ka NATO-ja apo KFOR-i. Armët me të cilat është shtënë, ata plumba, nuk kanë qenë këtu. Është absolutisht e papranueshme”, ka thënë eprori i KFOR-it.
Protestuesit vazhdimisht i penguan ekipet shqiptare të mediave nga Kosova, dhe sulmuan fizikisht disa prej gazetarëve, të cilët edhe këtë ditë nuk kanë siguruar mbrojtje as nga policia e as nga KFOR-i.
E, në mëngjes, KFOR-i siguroi perimetrin afër ndërtesës së Komunës, duke vendosur telat me gjemba. Por rrethojat e hekurit u mbuluan me flamuj serbë nga protestuesit, të cilët janë mbledhur aty nga ora 7:00 e mëngjesit. Në fillim të protestës është shpalosur edhe një flamur në dimensione të mëdha i Serbisë, e i cili u la në mes të protestuesve për pak minuta. Ndërkohë nga turma gjatë ditës janë kënduar këngë nacionaliste.
Ish-kryetari i Zveçanit, Dragisha Miloviq, ka përsëritë kërkesat e protestuesve.
“E vetmja kërkesë e jona ishte dhe është edhe sot, në fakt janë dy kërkesa, që këto njësite speciale, me tyta të gjata, me automjete të blinduara të largohen dhe ta braktisin objektin e Komunës së Zveçanit. Arsyeja pse janë ata, siç thonë, është që të vijë kryetari që, pas disa votimeve në kontejnerë, fituan vota dhe që duan ta prezantojnë këtë popull dhe të bëhen kryetarë të Komunës së Zveçanit. Nuk janë të pranuar, nuk janë të mirëseardhur”, ka thënë Miloviq.
Mst: Protestuesit u kërkojnë gazetarëve të “bahen prej këtu”
Protestë e qetë është zhvilluar të mërkurën në Leposaviq. Grumbullimi i qytetarëve serbë para objektit të Komunës ka nisur në orët e hershme të mëngjesit. Ata kanë qëndruar kryesisht në kafenetë që ndodhen pranë objektit komunal. Hapësira përreth objektit, ashtu si edhe në Zveçan, ishte e rrethuar me tela gjemborë derisa për sigurinë kanë vazhduar të kujdesen pjesëtarët e KFOR-it. Krahas mjeteve të KFOR-it, në oborrin e Komunës kanë qëndruar edhe dy autoblinda të Policisë së Kosovës.
Derisa jashtë objektit komunal lart valëvitej flamuri i Kosovës, ai i Serbisë, UNMIK- dhe ai komunal, brenda objektit ka vazhduar të qëndrojë kryetari i dalë nga zgjedhjet e fundit, për të tretën ditë rresht. Nuk ka pasur asnjë tentativë për ta braktisur objektin as të mërkurën.
Largimi i Lulzim Hetemit krahas njësive speciale nga objekti i Komunës ishte kërkesa e protestuesve, me të cilët kanë qëndruar ish-kryetari i kësaj komune, Zoran Todiq, dhe ish-deputeti nga Lista Serbe, Slavko Simiq.
Kohë pas kohe pati provokime nga protestuesit ndaj gazetarëve shqiptarë që raportonin nga vendi i ngjarjes, duke u thënë "bajuni prej këtu". Ndryshe prej një dite më parë, të martën nuk pati hedhje të gjësendeve ndaj tyre e tentim për t’ua marrë pajisjet e punës.
E motivi i protestuesve është mbajtur edhe përmes këngëve me motive nacionaliste.
Një nga lëvizjet e pakta në mesditë ka qenë largimi nga oborri i Komunës i tri automjeteve, pronë e kompanive serbe, siç është telefonia mobile MTS. Largimi i tyre u bë pas kërkesës së protestuesve, e cila u miratua nga KFOR-i. Largimin përtej rrethojave e bënë pjesëtarët e KFOR-it, për t’ua dorëzuar ngasësve të kompanive.
Kjo është dita e tretë e protestës së serbëve pas futjes së kryetarit në ndërtesën kryesore të Komunës, e cila deri para zgjedhjeve të 23 prillit udhëhiqej nga Lista Serbe.
Mst: Kryetari i Zubin-Potokut detyrën e kryen nga fshati Çabër
Pa tensione e pa incidente është mbyllur protesta edhe në Zubin-Potok. Serbët e mbledhur e vendosën një flamur të madh të Serbisë në objektin e Shtëpisë së Shëndetit përballë Komunës, pasi ditë më parë ky veprim u ishte ndaluar. E në sfond i shoqëronin tinguj të këngëve me motive nacionaliste, të cilave u rritej volumi sa herë që gazetarët i nisnin raportimet e drejtpërdrejta.
Kryetari i ri i Komunës, Izmir Zeqiri, as të mërkurën nuk u paraqit në zyrën e tij në Komunë, por funksionin e ushtroi nga Zyra për Komunitete në Çabër.
Të mbledhur përpara Komunës që para orës 8:00, protestuesit fillimisht iu afruan kordonit të Policisë së Kosovës, pjesëtarë të së cilës prej ditësh janë dislokuar para objektit, por më pas u tërhoqën dhe nisën të vendosnin tenda përreth.
Pak më tej, gjithë situatën po e vëzhgonin pjesëtarë të paktë të KFOR-it italian, që ndërroheshin shpesh, derisa një pjesë e tyre po qëndronin edhe në pjesën e prapme të objektit të Komunës.
Në gjendje gatishmërie ishte edhe njësiti FIT i Policisë. E vëzhgim të situatës pati edhe nga qielli. Në mesditë u pa një helikopter i KFOR-it.
Derisa numri i protestuesve ishte më i madh në fillim të protestës, pjesëmarrësit u pakësuan pas orës 10:00. Shumë nga ta shkonin e vinin. Për media nuk pranuan të flisnin, madje kërkuan nga to që të largoheshin, meqë, sipas tyre, po e provokonin situatën.
“Le të jetë flamuri serb derisa të njihet, por nuk është njohur, atë flamurin ta zbresim poshtë, të vendosim katër S-të: vetëm bashkimi i shpëton serbët. Dhe Kosova, kjo është e vërtetë, Kosova ka qenë në kohën e Jugosllavisë, por Kosova nuk ka qenë republikë, por mirë, politikanët e përcaktojnë këtë. Ne nuk mund të përcaktojmë asgjë, por do të ishte mirë që ta hiqni nga atje lart dhe të vizatojmë vetëm serbisht kryqin dhe katër shkronja S: vetëm bashkimi i shpëton serbët, nuk kërkojmë asgjë tjetër. Dhe kryetari i komunës, kush do të jetë, është çështje e politikanëve, jo e jona”, ka deklaruar njëri nga protestuesit.
E për protestuesit gjatë gjithë kohës është kujdesur organizatori, duke u ofruar ushqim. Shiu i rrëmbyeshëm nuk i ndaloi që të qëndronin aty deri në orën 15 e gjysmë. Më pas nisën t'i largonin tendat dhe mbeturinat që i bënë gjatë ditës.
Me t'u larguar protestuesit, edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës hynë brenda objektit të Komunës, ndërsa para ndërtesës u vendosën vetura të KFOR-it.
Mbajtja e protestës në tri komunat e veriut është paralajmëruar edhe për ditën e enjte.