Mbi 2 mijë pozita më poshtë renditet Universiteti i Prishtinës në krahasim me atë të Beogradit, i cili qëndron më së miri në rajon, në përditësimin e fundit të ranglistës prestigjioze “Webometrics” të publikuar në muajin gusht.
Ranglista që mat të gjitha universitetet botërore duke u bazuar në cilësi dhe në impaktin e tyre në internet, rangoi UP-në në pozitën e 3.031, katër pozita më poshtë se në ranglistën paraprake të publikuar në janar të këtij viti.
Me pozitën që është radhitur është shprehur i pakënaqur menaxhmenti i UP-së.
Përmes një reagimi kanë njoftuar se kanë filluar të punojnë në identifikimin e mangësive.
Ndërsa janë krenuar se janë ranguar më mirë se të gjitha institucionet e arsimit të lartë në trevat shqipfolëse.
“Në rangimin Webometrics, Universiteti i Prishtinës rangohet si universiteti më i mirë nga të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në Kosovë dhe trevat shqipfolëse. Pra, UP-ja nuk është universiteti i dyti më i dobëti në rajon, siç është prezantuar nga disa mediume. UP-ja në rangim lë prapa një numër të konsiderueshëm të universiteteve publike në rajon, ndërsa institucioni i dytë i arsimit të lartë në Kosovë, është dyfish më poshtë në rangim krahasuar me UP-në. Sigurisht, UP-ja nuk është e kënaqur edhe me këtë rezultat, andaj menaxhmenti së bashku me Këshillin drejtues, muaj më parë kanë filluar të punojnë në këtë drejtim, duke identifikuar mangësitë dhe duke ndërmarrë nisma strategjike për ta avancuar tutje pozicionin në platformën Webometrics”, thuhet në reagimin e UP-së.
E kjo i ka shqetësuar studentët e UP-së.
Vlerësimet ndërkombëtare janë parë si alarm për reformim në UP, nga njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
“Është një alarm i fundit për Universitetin e Prishtinës që të ndryshojë udhëtimin e vet strategjik dhe të kthejë vëmendjen te cilësia e studimeve, ta kthej vëmendjen te studentët, në të kundërtën Universiteti i Prishtinës do të vazhdojë ta jetojë një iluzion të kinse të bërit shkencë, një iluzion kinse të publikimeve dhe ruajtjeve të kritereve të publikimeve, mirëpo në thelb pa asnjë përfitim për studentin”, tha Qehaja.
UP-ja qëndron më poshtë në rangim në krahasim edhe me institucionet e tjera publike të arsimit të lartë në rajon, ndërsa lë prapa Universitetin e Tiranës.
Për këtë ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila paralajmëroi ndryshime në këtë institucion.
“Gjendjen në Universitetin e Prishtinës nuk e kemi të mirë dhe kjo është evidentuar së fundmi edhe në ranglistën prestigjioze “Webometrics”, sipas së cilës, vazhdon rënia e UP-së në rangim. Kjo është e papranueshme dhe s’mund të vazhdojë. Urgjentisht duhet të bëjmë ndryshime që ta përmirësojmë këtë gjendje”, tha Nagavci.
UP-ja këtë javë mori goditje edhe në aspektin e kredibilitetit të stafit akademik.
Këshilli e Etikës konstatoi se dekani dhe katër profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik kanë bërë plagjiaturë. Ndërsa, më herët këtë vit janë dënuar për plagjiaturë edhe dy profesorë të Filozofikut, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.