Arbëri

Universiteti i Prishtinës ngrihet për 49 pozita në renditjen e “Webometrics”

Universiteti i Prishtinës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” radhitet i 2.982-i në përditësimin e fundit të ranglistës prestigjioze “Webometrics”, ku rangohen të gjitha universitetet botërore për cilësi. UP-ja herën e fundit renditej e 3.031-a.

Kjo pozitë i mjafton UP-së që të jetë institucioni arsimor i tretë më i dobët nga ato publike në rajon. Vetëm Universiteti i Sofjes dhe ai i Tiranës qëndrojnë më keq, 3.089 respektivisht 3.972.

Sa u përket universiteteve publike të rajonit, ai i Beogradit renditet më së miri - i 443-i, pastaj Universiteti i Zagrebit i 565-i, Universiteti i Shkupit i 1.526-i dhe Universiteti i Podgoricës i 1.998-i.

Në vitin 2019, UP-ja kishte shënuar ngritje rekorde, duke u renditur në vendin e 1471-të në botë, por në vitet e fundit pati rënie të dukshme deri para përditësimit të listës së fundit.

Profesori i UP-së, Blerim Rexha, ka thënë se ky institucion ka shënuar progres të pakontestueshëm viteve të fundit në hulumtime shkencore, çka ka bërë që të ngrihet në listën e “Webometricsit”.

“Universiteti i Prishtinës ka shënuar progres të pakontestueshëm viteve të fundit në hulumtime shkencore, e vlerësuar me dy kritere nga Webometrics: (i) Excellence – me 40% të peshës totale, duke numëruar numrin e punimeve shkencore gjatë viteve 2017-2021 nga Scimago dhe (ii) Openness – me 10% duke numëruar numrin e citimeve sipas Google Scholar nga top 310 autorët”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, renditja e UP-së ka mundur të jetë edhe më e mirë sikur t’i kushtonte më shumë kujdes edhe imazhit të vet digjital, në hapësirën virtuale, dhe kështu do ta përmirësonte parametrin Visibility (pesha 50%) që matet përmes algoritmeve të indeksimit Ahrefs dhe Majestic.

Kësaj rangliste i prin Universiteti i Harvardit.

Sa u përket universiteteve në botë, mes 10 më të ranguarave, nëntë janë nga Shtetet e Bashkuara.