Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka reaguar pas raportimeve të fundit lidhur me sjelljet e profesorit të Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta, duke thënë se do ndërmerren masa për rastin.
Në këtë reagim thuhet se Menaxhmenti i UP-së nuk pajtohet me sjelljet e vazhdueshme dhe recidiviste të tij me studentët dhe kolegët në Fakultetin e Filologjisë.
“Prandaj, UP, distancohet nga një diskurs me përmbajtje të tillë si dhe nga çdo sjellje joakademike e profesorit në fjalë. Me këtë rast, menaxhmenti i UP-së, shpreh përkushtimin e palëkundur për të garantuar zbatueshmërinë e Kodit të Etikës në të gjithë mjedisin mësimor akademik. Në këtë drejtim, UP është duke e shqyrtuar me urgjencë rastin dhe do të ndërmarrë inicimin e masave adekuate që janë në dispozicion dhe në kompetencë brenda universitetit, pa paragjykim ndaj procedurave jashtë institucionit që mund të zhvillohen nga autoritetet kompetente”, thuhet në reagimin e UP-së.
Të martën KOHA ka raportuar se përveç studentëve, cak i kërcënimeve e shantazheve të profesorit në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, janë edhe Rektorati e anëtarët e Këshillit të Etikës.
Sipas Këshillit të Etikës, profesori Bejta ofendoi e kanosi menaxhmentin e UP-së, përmes një letre të dërguar në muajin shkurt, gjatë kohës që ky organ po e shqyrtonte ankesën e një studenteje. Këshilli nuk rekomandoi masë ndëshkimore ndaj tij, në vendimin përfundimtar që e mori më 31 mars.
Në audioincizimet e publikuara nga KOHA, dëgjohet përdorimi i gjuhës denigruese nga profesori Bekim Bejta, epitetet që u jep studenteve si dhe një ofertë për kalimin e provimit.
“Ajo u nis për me bë të madhe, por vallai na shqiptarë jena, për besë ne pastaj vazhdojmë me kanun. Nuk jam t’u bo hajgare. S’po flas unë për të, se ajo është femër, e me femër është problem, a po më kupton! Por ajo ka meshkuj, e unë shkojë me kanun, s’po bëjë hajgare”, ka thënë ai para studentëve, që pohohet se është incizuar në periudhën e shtatorit të vitit të shkuar. “Të familjes tem, krejt çka i kam të afërt, krejt kanë kerre, krejt kanë banesa, krejt kanë shtëpia, krejt kanë vende të punës, me thënë që po e lë dikë keq, jo”, vazhdon ai duke aluduar se nuk ka asgjë për të humbur në qoftë se vendosë të veprojë përmes rregullave tradicionale të parapara në Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Në audioincizim profesori i lëndës “Gjuhësia në studimin e letërsisë” dëgjohet tek u drejtohet studenteve me shprehjet “Majmunkë” dhe “magjitore e Serbisë”.
“Për besë ti nuk e meriton unë me qenë xhentëlmen, por isha xhentëlmen, por po shpresoj që për ty, tani e kupton ‘shkinën’ ose ‘rrencin””, dëgjohet duke i thënë një studentes.
Për këto, ai është dënuar një herë në korrik të vitit të shkuar nga Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës, me mohim të përfshirjes në mentorim.