Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

UP-ja ngrihet për 1000 vende në Webometrics

Foto: Koha / ilustrim

Universiteti i Prishtinës ka shënuar rritje prej rreth 1000 vendesh në ranglistën e universiteteve në botë.

Nga vendi 2429 sa ishte vitin e kaluar, është ngritur në 1471 këtë vit.

Lajmin e ka bërë me dije perms një kumtese për media vet Universiteti i Prishtinës.

“Në përditësimin e fundit të publikuar nga ranglista prestigjioze e rangimit të universiteteve botërore, Webometrics, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar ngritjen më të madhe ndonjëherë, duke u ranguar në vendin e 1471-të në botë. Në edicionin e janarit të këtij viti, Webometrics pasqyron ngritjen e UP-së për 1662 pozita më lartë, që nga viti 2018, kur UP-ja zinte vendin e 3133-të në botë në mesin e rreth 30.000 universiteteve të ranguara”, thuhet në njoftim.

Bazuar në publikimin e Webometrics, UP-ja rangohet në vendin e 565-të në Evropë, ndërkaq del në vendin e tetë në rangimin e universiteteve në rajon, duke lënë prapa vetes universitetet e Nishit, Sarajevës, Shkupit, Tiranës, etj.

Ndërkaq, sipas njoftimit, UP-ja, sipas rezultateve të Webometrics, vazhdon të jetë lider i arsimit të lartë në hapësirën shqipfolëse.

“Për rektorin e UP-së, prof. dr. Marjan Dema, ngritja e UP-së paraqet lajmin më pozitiv për arsimin e lartë. Sipas tij ‘UP-ja po vazhdon fuqishëm ta përmirësojë rangimin botëror të tij, me çka po përfaqëson me dinjitet edhe Kosovën, kudo në botë’”, thuhet në njoftimin për media të UP-së.

Sipas njoftimit, Dema këtë sukses ia atribuon stafit akademik të UP-së, teksa për këtë arritje, përgëzon organet drejtuese dhe menaxhuese, stafin administrativ dhe studentët e UP-së.

“Shumë profesorë tanë kanë punuar jashtëzakonisht shumë që t’i kontribuojnë hulumtimit në disiplinat e tyre akademike, gjë e cila shpërfaq aftësitë dhe dedikimin e tyre për Universitetin, mund i cili rezultoi me një sukses të tillë për UP-në dhe vendin tonë”, citohet të ketë thënë Dema.

i UP-së në këtë drejtim është edhe si rezultat i punës së Zyrës për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara, e themeluar në vitin 2018, e cila ka si objektiv mbështetjen e kërkimit dhe financimin e projekteve të stafit akademik. UP-ja në këtë drejtim është përkrahur edhe nga partnerë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Webometrics është një prej rangimeve më të rëndësishme botërore, i zhvilluar nën patronatin e Këshillit të Lartë të Kërkimit Shkencor (Consejo Superior de Investigaciones Cientificas - CSIS), me qendër në Madrid, njësi e Ministrisë së Edukimit të Spanjës.

Cybermetrics është një ranglistë jofitimprurëse e cila “nuk pranon pagesa për përfshirje në rangim, as edhe oferta për reklamim të ndonjë universiteti”.

Për këtë, më parë ka shkruar edhe profesori Blerim Rexhaj. 

“Shumë urime për Universitetin e Prishtinës. Sot Cybermetrics Lab, pjesë e Spanish National Research Council me seli në Madrid, azhurnoi listën e rangimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë (mbi 29.000) në ueb faqen e tyre www.webometrics.info. Duke i krahasuar shënimet aktuale me ato në edicionet e kaluara, Universiteti i Prishtinës jo vetëm që mbetet lider i pa kontestuar i arsimit të lartë në hapësirën mbarë shqiptarë, por kësaj radhe ka bërë një kërcim të dukshëm, që vie si rrjedhojë e rritjes së nivelit hulumtues gjatë periudhës 2012-2017, parametër ky shumë i rëndësishëm dhe tani ka peshën prej 35% në algoritmin e Webometrics”, ka thënë Rexhaj.

Sipas tij, “që ka një përmirësim në përformancen e UP-së viteve të fundit, për gati 3600 vende sipas Webometrics, nuk janë krejt meritor vetëm punonjësit e universitetit”.

“Një pjesë e meritës iu takon edhe studentëve tanë për rritjen e kërkesave të tyre për një arsim më cilësorë dhe shoqërisë civile, për një presion pozitiv dhe të vazhdueshëm”, ka thënë Rexhaj, përcjell Koha.net. “Urime edhe dy institucioneve tjera: Kolegjit AAB dhe Universitetit të Prizrenit për përmirësimin të shkëlqyeshëm për 5 vite!”, ka shtuar ai.

Image
Artikuj të ngjashëm