Strategjia e Komunikimit, e cila i përfshin gjashtë objektiva të komunikimit të brendshëm, e ka konsideruar si të nevojshëm përmirësimin e kompetencës gjuhësore. Në kuadër të rritjes së reputacionit të UP-së, profesorëve si dhe stafit administrativ u është kërkuar që t’i zbatojnë në përpikëri rregullat drejtshkrimore të gjuhës shqipe. “Zbatimi me përpikmëri i rregullave të drejtshkrimit të gjuhës, në të cilën realizohet komunikimi i brendshëm, duhet të jetë synim i çdo komunikimi në formë të shkruar”, shkruan në njërën nga objektivat e Strategjisë. Porse edhe në këtë dokument janë shpërfaqur gabime drejtshkrimore, pasi që në vend të fjalës “përpikëri” është përdorur “përpikmëri”
Me qëllim të rritjes së imazhit, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka publikuar gjatë javës së shkuar një Strategji për të përmirësuar komunikimin brendainstitucional si dhe me publikun.
Strategjia e Komunikimit, e cila i përfshin gjashtë objektiva të komunikimit të brendshëm, e ka konsideruar si të nevojshëm përmirësimin e kompetencës gjuhësore.
E në kuadër të rritjes së reputacionit të UP-së, profesorëve si dhe stafit administrativ u është kërkuar që t’i zbatojnë në përpikëri rregullat drejtshkrimore të gjuhës shqipe.
“Zbatimi me përpikmëri i rregullave të drejtshkrimit të gjuhës, në të cilën realizohet komunikimi i brendshëm, duhet të jetë synim i çdo komunikimi në formë të shkruar”, shkruan në njërën nga objektivat e Strategjisë. Porse edhe në këtë dokument janë shpërfaqur gabime drejtshkrimore, pasi që në vend të fjalës “përpikëri” është përdorur “përpikmëri”.
Megjithëkëtë, prorektori për kërkime në UP, Sefer Avdiaj, nuk ka pranuar të jenë vërejtur mangësi në drejtshkrim prej anës së stafit.
“Në strategjinë për komunikime ka punuar një organizatë tjetër nga jashtë UP-së, por kjo kompetenca gjuhësore, siç ju thash edhe më përpara, edhe në komunikimin e brendshëm. Është mirë që të rritet, pasi është e mirë por mund të bëhet gjithmonë më e mirë që të rritet”, ka thënë ai.
Bardh Rugova, shef i Departamentit të Gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë, ka theksuar se profesori akademik nuk duhet që të ketë probleme në drejtshkrim.
“Patjetër duhet të ketë shkathtësi të lakmueshme akademike dhe kjo nënkupton aftësi të përmbledhjes, aftësi të drejtshkrimit, aftësi të sintezës, analizës, aftësisë së qëndrimit kritik. Është shumë komplekse dhe në qoftë se nuk i ka, ai nuk mund të jetë as profesor”, ka thënë Rugova.
Në kuadër të kësaj strategjie, Universiteti i Prishtinës synon gjithashtu që të ndërtojë ura komunikimi me mediat, duke angazhuar persona që flasin me gazetarë dhe me kryeredaktorë me qëllim të trajtimit të temave në interes të Universitetit më të madh publik.
“Përgjegjësit e PR/ personat e ngarkuar do të hartohet një draft që do t’i paraqitet gazetarit, me raste kryeredaktorit, që fton vëmendje për një temë të caktuar”, është theksuar në Strategji.
Avdiaj, prorektori për kërkime në UP, ka thënë se kjo Strategji është e nevojshme për të shfaqur punën që bëhet në këtë institucion.
“E kemi menduar që të kemi një strategji që e promovon punën e stafit akademik, sepse ka profesorë që e shpenzojnë jetën e tyre nëpër laboratorë e publiku nuk e di. Kështu që kemi menduar që të kemi një strategji që të promovohet puna në Universitetin e Prishtinës”, ka theksuar ai.
Për të promovuar punë e UP-së, në fillim të këtij viti është miratuar edhe Rregullorja për komunikime.