Edhe këtë vit, UP-ja nuk ka arritur t’i sigurojë mekanizmat për verifikimin e punës shkencore të stafit akademik për procesin e emërimit dhe avancimit të tyre. E sipas një raporti të platformës antiplagjiaturë “Crossplag”, 37 doktorata të profesorëve të UP-së, kanë rezultuar me 16 për qind ngjashmëri të lartë me punime të tjera të pacituara brenda doktoratave të tyre. Në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim i kanë kualifikuar të paguximshme institucionet për luftimin e plagjiaturës
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” as këtë vit nuk ka arritur t’i sigurojë mekanizmat për verifikimin e punës shkencore të stafit akademik për procesin e emërimit, riemërimit dhe avancimit të tyre.
Në rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik, kriter minimal është që kandidati të ketë një punim shkencor të publikuar në revista ndërkombëtare si autor i parë apo korrespodent.
Nga vitit i ardhshëm, UP-ja pretendon të bëhet me sistem të antiplagjiaturë, i cili ndër vite është premtuar nga Rektorati. E këtë vit do të bëjë ndryshime në legjislacion që përfshin çështjet e Kodit të Etikës, në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Ky proces sipas prorektorit për personel akademik, integritet dhe botime, Faton Berisha, do të marrë kohë, e nuk do të mund të përfundojë për konkursin e përvitshëm për avancimin e stafit, i cili zakonisht hapet në muajin maj.
“Avancimin e rregullativës së Universitetit të Prishtinës, karshi plagjiarizmit dhe etikës akademike në përgjithësi. Këtu do të nisim, me tri dokumente që rregullojnë këtë çështje, Kodi i Etikës, Rregullorja mbi Punën e Këshillit të Etikës dhe Rregullorja mbi kategorizimin e shkeljeve të Etikës”, ka thënë ai.
Mosverifikimi i kandidatëve gjatë konkurseve në të kaluarën, dyshohet se u ka hapur rrugë disa profesorëve që të avancohen me vjedhje të punës akademike. Gjatë vitit të kaluar, Këshilli i Etikës dënoi për plagjiaturë dy profesorë të Fakultetit Filozofik.
Bujar Dugolli, është dënuar me mosmentorim të temave të diplomës në nivel master dhe doktoratë për dy vjet, ndërsa Ardian Kastratit i është ndaluar mentorimi në të gjitha nivelet e studimit për tre vjet. Ndërkaq, në muajin gusht, për cenim të të drejtave autoriale, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Musa Selimi, profesorët, Bylbyl Sokoli, Hazir Salihu dhe Afrim Koca janë dënuar nga Këshilli me mosmentorim të diplomave në të gjitha nivelet për nga dy vjet, ndërsa profesori Ajvaz Berisha për tre vjet.
E, së fundi sipas një raporti të platformës antiplagjiaturë “Crossplag”, 37 doktoratat e profesorëve të UP-së, kanë rezultuar me 16 për qind ngjashmëri të lartë me punime të tjera të pacituara brenda doktoratave të tyre. E 52 për qind e tyre kanë pasur ngjashmëri mesatare.
“Ne kemi marrë iniciativën t’i kontrollojmë 37 doktorata të stafit akademik në Universitetin e Prishtinës. Përzgjedhja e këtyre doktoratave ka qenë rastësore në mesin e doktoratave të cilat janë publikuar në formatin digjital pasi që shumica dërrmuese e doktoratave të publikuara të stafit akademik janë të skanuara dhe nuk është e mundshme të kontrollohen përmes sistemit antiplagjiaturë”, shkruan në raportin e “Crossplag”.
Kontrollimi i këtyre punimeve është realizuar krahas literaturës elektronike në gjuhën shqipe dhe asaj në gjuhën angleze.
“Çdo dokument i ngarkuar është kontrolluar me më shumë se 60 milionë shkrime nga faqe të ndryshme të internetit dhe me mbi 400 mijë dokumente të publikuara nga faqet e ndryshme shqiptare. Çdo dokument i ngarkuar është kontrolluar me më shumë se 17 miliard shkrime dhe dokumente nga faqet e ndryshme të interneti dhe me mbi 500 milion publikime shkencore dhe akademike në të cilat kemi pasur qasje në gjuhën angleze”, thuhet për metodologjinë e përdorur për kontrollimin e doktoratave.
Adea Kondirolli, hulumtuese në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), i ka kualifikuar joserioze dhe me mungesë guximi institucionet për luftimin e plagjiaturës.
“Në fund të ditës nevojiten persona që i shtyjnë përpara dënimet, kjo kryesisht ka munguar për shkak të mungesës së guximit të stafi akademik që ta dënojnë njëri-tjetrin, ose për shkak të kolegialitetit që e kanë mes vete, ose për arsye të tjera”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ndryshimi i vetëm sivjet në procesin e avancimit do të jetë limitimi i databazave për publikimin e punimeve shkencore.
“Asnjëra për momentin nuk mundet të na garantojë që një profesor që do të avancohet ose që është avancuar në të kaluarën, nuk është avancuar përmes plagjiaturës. E mira e këtij procesi sivjet është që me rregulloren për avancimet e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës, nga një janari 2023 vlen vetë për avancimet që janë të botuara në revistat e indeksuara në databazat Scopus dhe ËebofScientist”, ka shtuar ajo.
Vitin e kaluar Ministria e Arsimit, ka obliguar stafin akademik t’i ngarkojë disertacionet e doktoratave dhe listën me publikime shkencore në platformën E-akreditimi, me qëllim të luftimit të plagjiaturës. Por ky vendim është vlerësuar i pamjaftueshëm pasi verifikimit iu nënshtrohen vetëm bartësit e programeve.