Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar të tregojë se si do ta trajtojë paralajmërimin e ministrit Goran Rakiq për largim nga institucionet, në rast se nuk formohet Asociacioni deri në fund të këtij viti. Njohës të qeverisjes lokale thonë se puna për formimin e tij duhet të nisë këtë vit, e të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, derisa për punën e Kuvendit vlerësojnë se largimi eventual i serbëve nuk ka edhe aq ndikim, përveç rasteve kur në votim janë ligje që kërkojnë shumicën e dyfishtë
Pa ndikim në punën e institucioneve, vlerësohet të jetë ultimatumi i Listës Serbe për largim, në rast të mosformimit të Asociacionit.
Njohës të punës së Kuvendit thonë se nuk do të ishte hera e parë që serbët do të bënin një gjë të tillë.
Por, sipas Agnesa Haxhiut, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, deputetët e Listës Serbe janë duke e bojkotuar legjislativin që nga vendosja e reciprocitetit për targat.
“E vetmja pikë ku mendoj se mund të ketë ndikim mosprezenca e tyre në Kuvend , është te ligjet me interes vital të cilat kërkojnë shumicë të dyfishtë e dy prej tyre, njëra për festat zyrtare që tashmë është në procedurë në kuvend dhe tjetri është ai për arsimin e lartë, i cili tashmë është pjesë e ERA2, e reformave evropiane edhe që është një projektligj që ka pas problem në vazhdimësi e që është bartë nga njëra legjislaturë në tjetrën sepse ka munguar konsensusi me listën serbe që t'i marrin edhe shumicën e votave të komunitetit serb”, ka thënë Haxhiu, hulumtuese në KDI.
Në anën tjetër, përkundër presionit të shtuar, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, janë të mendimit se Qeveria nuk duhet të nxitohet me themelimin e Asociacionit.
Sadri Rrmoku, hulumtues në KLGI, thotë se duhet të kihet kujdes në hartimin e statutit, e se i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
“Mendoj që ky vit duhet të jetë fillimi i themelimit të Asociacionit por nuk duhet të ngutemi që ti vendosim vetes data ose kohë kur duhet të themelohet ky. Pra, e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kemi rrugës se kah duhet shkuar me Asociacion dhe nuk guxojmë të dalim përtej kësaj”, është shprehur Rrmoku, hulumtues, KLGI.
Javën e kaluar, ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka paralajmëruar se do të largohen nga institucionet në të gjitha nivelet, në rast se asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk themelohet deri në fund të këtij viti.
Për një paralajmërim, nuk kanë pranuar të deklarohen nga Qeveria e Kosovës.
Në pyetjet e KOHËS për këtë çështje, nuk është përgjigjur as shefi i Grupit parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq.