Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka nderuar me çmimin “Karriera” gazetarin Ibrahim Rexhepi, i cili u nda nga jeta më 8 tetor të këtij viti, në moshën 64-vjeçare. Të premten në Tiranë, në mjediset e hotel “Tirana International”, është bërë ndarja e çmimeve “Vangjush Gambeta” në gazetari.
Gazetari Ibrahim Rexhepi është nderuar me çmimin “Karriera” me motivacionin ”Si një ndër themeluesit e gazetarisë moderne shqiptare në Kosovë”. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, e ka vlerësuar gazetarin Ibrahim Rexhepi si një ndër emrat e shkëlqyer të gazetarisë së ekonomisë në Kosovë.
“Gjithë përvoja dhe karriera e gazetarit Ibrahim Rexhepi përbejnë modelin e themeluesit të gazetarisë moderne shqiptare në Kosovë. Me punën e vet shumëvjeçare në mediat e shkruara dhe më pas edhe në atë elektronike, Ibrahim Rexhepi spikati si personalitet i gazetarit të profilit në gazetarinë ekonomike në të gjithë hapësirën shqiptare. Gjatë disa dekadave, pena dhe mendimi i tij zgjuan interes dhe vëmendje tek masat e gjera të lexuesve dhe ato të institucioneve ekonomike e financiare të Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike. Ibrahim Rexhepi ka dëshmuar aftësi të rralla si drejtues në disa redaksi gazetash në Kosovë dhe forume të debatit, mendimit dhe analizës ekonomike”, ka thënë gjatë fjalës së tij kryetari i UGSH-së, Aleksandër Çipa.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ua ka dorëzuar familjarëve të Ibrahim Rexhepit çmimin e akorduar nga UGSH-ja.
“T’i ngjani babait tuaj dhe të jeni profesionalë edhe ju në fushat ku punoni si ishte ai në fushën e gazetarisë ekonomike”, iu tha Ruçi vajzës dhe djalit të Ibrahim Rexhepit të cilët nuk i përmbajtën emocionet dhe lotët gjatë marrjes së çmimit./ B. Shala