Ata që përfundojnë shkollimin në drejtimet si Gjuhë e Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik, Histori e Psikologji në Fakultetin Filozofik, Matematikë e Biologji në FSHMN, e kështu me radhë, nuk kanë të drejtën e mësimdhënies në shkollat e mesme. Për ta fituar këtë të drejtë, patjetër se duhet ta kryejnë Masterin në Edukim. Por me këtë lëvizje, ata humbin mundësinë për doktoratë në fushën e tyre të preferuar
Diskriminues është vlerësuar i vjetri, e njëjtë po vlerësohet edhe Udhëzimi i ri Administrativ për Arsimin e Përgjithshëm, i cili ua jep të drejtën për mësimdhënie vetëm atyre që përfundojnë Edukimin.
Udhëzimi i ri është firmosur së fundi nga ministrja Arbërie Nagavci, por nuk ka shuar pakënaqësitë, përkundrazi i ka rritur ato tek ata që kanë përfunduar shkollimin e lartë në drejtime të tjera.
Ata që përfundojnë shkollimin në drejtimet si Gjuhë e Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik, Histori e Psikologji në Fakultetin Filozofik, Matematikë e Biologji në FSHMN, e kështu me radhë, nuk kanë të drejtën e mësimdhënies në shkollat e mesme. Për ta fituar këtë të drejtë, patjetër se duhet të kryejnë Masterin në Edukim.
“Bazuar në Udhëzimin Administrativ 5/2021 për Normativin e Kuadrit Profesional në Arsimin e Përgjithshëm, të drejtën e mësimdhënies e kanë të gjithë studentët që kanë mbaruar programet që janë akredituar si programe arsimore. Programet duhet të kenë së paku 240 ECTS. Studentët që kanë mbaruar programet në Fakultetin Filologjik apo Filozofik (etj), që nuk janë akredituar si programe arsimore e që i kanë 180 ECTS, për të pasur të drejtë për të punuar si mësimdhënës duhet patjetër të mbarojnë master arsimor”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Arsimit për KOHËN.
Por, ata që kanë kryer drejtime të tjera e synim kanë mësimdhënien në shkollat e mesme, e quajnë diskriminues këtë Udhëzim administrativ.
Getoar Sylaj, student në Universitetin e Prishtinës e njëkohësisht pjesë e organizatës Studim, Kritikë, Veprim, e ka quajtur diskriminues.
“Ndonëse i vonuar besojmë që ky është shqetësim i fakulteteve tjera, veçanërisht studentëve të Fakultetit Filologjik dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore. Besojmë që është i drejtë, meqenëse diskriminimi që u bëhet atyre tash e sa vite është evident. Gjithashtu një udhëzim administrativ i tillë është diskriminues për shkak se studentëve të Shkencave Matematike Natyrore, por edhe Filologjikut ua ndërpret ciklin e studimeve për shkak se nëse ata i vijojnë studimet në Master, u pamundësohet që t’i vazhdojnë studimet e doktoratës dhe në këtë mënyrë ua pamundëson atyre që të angazhohen në të ardhmen edhe në Universitet”, ka thënë Sylaj.
Për 10 vjet numri i studentëve në UP ra për 32 për qind
E Rinor Qehaja, hulumtues në Institutin Edguard, ka thënë se udhëzimi duhet të rishikohet, në mënyrë që punësimet të jenë me meritë.
“Është legjislacioni aktual që kufizon mësimdhënien vetëm me Fakultet të Edukimit. Kjo mund të ketë kuptim për mësimdhënës të shkollimit fillor, mirëpo kompetencat për fusha kurrikurale për mësimdhënës të ciklit të mesëm të ulët dhe atij të lartë nuk besoj që mund të jetë më e lartë në Fakultet të Edukimit sesa në fakultetet e tjera të njësive të tjera akademike. Kjo është diçka që duhet të rishikohet, në mënyrë që të çelen mundësitë për punësime meritokratike të mësimdhënësve klasorë me kompetencë përkatëse. Kurse aspekti pedagogjik i mësimdhënies duhet të jetë pjesë e vazhdueshme e zhvillimit profesional të mësimdhënësve gjatë karrierës”, ka thënë Qehaja.
Studentët kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga Ministria e Arsimit rishikimin e udhëzimit administrativ, në mënyrë që edhe studentët e fakulteteve të tjera të kenë të drejtë të japin mësim në shkollat e mesme.
-
Fakulteti i Edukimit pa profesorë të mësimdhënies së fizikës, rrezikohet mbyllja e drejtimit
-
Studentë të Veterinës ankohen se UP-ja po i privon nga e drejta për bursa
-
Çalimi në shqip shtron nevojën për përmirësim të edukimit gjuhësor
-
Mbi 500 studentë më shumë në UP, megjithëqë disa programe përballen me mungesë të interesimit