Pas kërkesave të kompanive të industrisë së duhanit, Ministria e Shëndetësisë e ka futur në agjendën legjislative të këtij vitit plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ i cili obligon që pakot e duhanit të kenë të vendosura fotografi dekurajuese.
KOHA ka raportuar javën e kaluar se si MSH-ja ishte dorëzuar karshi industrive të duhanit.
Kjo ministri në përgjigjet e saj ka konfirmuar që kanë pranuar kërkesa nga industria e duhanit për shtyrje të afateve të implementimit gjatë konsultimit publik, por edhe pasi Udhëzimi Administrativ ka hyrë në fuqi.
“Po, plotësim-ndryshimi i UA për vërejtjet e kombinuara është në planin legjislativ të MSh-së për 2024. Zyrtari përgjegjës dhe ekipi mbështetës do të diskutojnë me Ministrinë për këtë, por sigurisht çështja e afateve të implementimit të vërejtjeve është kryesorja. Industria e duhanit, edhe pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit ka parashtruar kërkesë për shtyrje të afatit të implementimit të vërejtjeve shëndetësore”.
Udhëzimi Administrativ për vërejtje të kombinuara i cili ka hyrë në fuqi në tetor të vitit të kaluar parasheh që nga prilli të gjitha pakot e duhanit që importohen të kenë të vendosura imazhet dhe mesazhet dekurajuese, e që nga tetori i këtij viti të gjitha pakot t’i përmbajnë këto fotografi.
Ky vendim i MSH-së për juristin Anton Nrecaj është i palogjikshëm dhe se, sipas tij, mund të bëhet fjalë për pazare në kurriz të shëndetit publik nga ministria përgjegjëse për ta mbrojtur atë.
“Sa kam njohuri nuk kam parë situata të tilla, ku akoma pa filluar zbatimi i Udhëzimit Administrativ të merret iniciativë për plotësim-ndryshim. Kjo vërtet nuk ka logjikë. Mirëpo, në situatën për të cilën po flasim, e vetmja logjikë, të shtie të mendosh që këtu mund të ketë ndonjë lloj, nëse mund të themi, pazari që të mbrohen interesat e industrisë së cigareve që të futen në mënyrë më të lehtë në tregun e Kosovës, duke evituar obligimet ligjore”, ka thënë Nrecaj.
Sipas Ministrisë, odat ekonomike i kanë parashtruar kërkesat e industrisë së duhanit për shqyrtimin e afateve.
Në Odën Ekonomike të Kosovës kanë thënë që nuk e kundërshtojnë këtë udhëzim, mirëpo kanë dhënë sugjerime lidhur me kohën shtesë që i duhet industrisë së duhanit.
E, Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve, ka thënë se vendosja e fotografive dekurajuese në pakot e duhanit do të ishte e mirëseardhur dhe ka treguar për ndikimin e tyre sidomos te të rinjtë.
“Në momentin kur adoleshentët përballen me këso fotografi të frikshme, ata përjetojnë emocionin e frikës. Gjë që i ndërgjegjëson ata që të mendojnë dy herë para se të fillojnë përdorimin e cigareve”, ka deklaruar psikologu Havolli.
Në Qendrën për Avokim dhe Zhvillim kanë thënë se koha që u është dhënë industrive të duhanit për ndryshimet në pakot e duhanit është e mjaftueshme.
Si shembull është përdorur Turqia që ka përcaktuar një periudhë kalimtare prej vetëm 4 muajsh për prodhim, importim e distribuim, dhe 10 muaj afat për qarkullim në treg me pakicë.
Franca ka përcaktuar periudhë kalimtare 3 muaj dhe maksimum 6 muaj për disa produkte të caktuara për prodhim dhe import, dhe afat prej 7.5 muaj për shitje me pakicë.
Kanadaja ka përcaktuar afat prej 6 muajsh për import, prodhim dhe distribuim, dhe afat prej 9 muajsh për shitje me pakicë.