Udhëzimi Administrativ që parasheh vendosjen e fotove dhe mesazheve dekurajuese në pakot e duhanit, mund të mos hyjë në fuqi në datën e paraparë, thonë në Qendrën për Avokim dhe Zhvillim.
Nga kjo organizatë ngrenë alarmin se zbatimi i Udhëzimit Administrativ për vërejtjet e kombinuara po sfidohet nga industria e duhanit përmes odave ekonomike.
Shkumbin Spahiu nga kjo organizatë ka bërë thirrje që Ministria e Shëndetësisë të vërë në rend të parë shëndetin publik.
“Të mos bie në ndikim të këtyre lobimeve të industrisë përmes Odave Ekonomike dhe të marrë ndonjë vendim që është në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe me shëndetin e qytetarëve por i cili shkon në favor të një industrie që është përgjegjëse për shumë sëmundje dhe vdekje të parakohshme”, ka thënë Spahiu.
Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KOHËN e kanë lënë të hapur mundësinë që Udhëzimi të mos hyjë në fuqi që nga prilli, ashtu siç është e paraparë.
“Pakot do t'i kenë të vendosura vërejtjet e kombinuara (fotografitë), sipas shtojcës së Udhëzimit. Nëse zbatohet UA aktual, ato do të implementohen sipas afateve të përcaktuara, nëse MSH-ja plotëson-ndryshon Udhëzimin, afatet e implementimit mund të ndryshojnë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Qendra për Avokim dhe Zhvillim (KADC) ka publikuar një raport ku përmblidhen ndërhyrjet e industrisë së duhanit në politikat e shëndetit publik në Kosovë.
Në raport përmenden raste konkrete e strategjitë që përdoren nga këto kompani për të ndikuar në politikëbërje.
Sipas Spahiut, gjatë përpilimit të raportit kanë gjetur se ndërhyrjet në politika tentohen të bëhen përmes odave ekonomike.
Këtë e kanë pranuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë në përgjigjen për KOHËN.
“Industria e duhanit, edhe pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit, ka parashtruar kërkesë për shtyrje të afatit të implementimit të vërejtjeve shëndetësore”, thuhet në përgjigje.
Por Spahiu thekson se argumenti ekonomik që e shtrojnë kompanitë e industrisë së duhanit nuk është i vlefshëm, për shkak se bie ndesh me mirëqenien e qytetarëve.
“Taktika të njohura që përdoren nga industria e duhanit, siç janë kërcënimet ligjore ndaj institucioneve dhe zyrtarëve publik e ekzagjerojnë rëndësinë e tyre ekonomike duke thënë se i sjell kaq të hyra ekonomike buxhetit të një vendi, por injorojnë në tërësi koston ekonomike, shëndetësore, mjedisore dhe sociale që e shkakton duhanit edhe kjo industri në shoqërinë tonë”, ka shtuar Spahiu.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo Amerikane nuk janë përgjigjur lidhur me këto pretendime të Qendrës për Avokim dhe Zhvillim.
KOHA pati raportuar për hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi në tetor të vitit të kaluar.
Nëse nuk pëson ndryshime Udhëzimi Administrativ, parashihet që çdo pako e duhanit që importohet në Kosovë që nga prilli i këtij viti të ketë të vendosura fotografitë dekurajuese në 65% të sipërfaqes së pakos, e që nga tetori të mos ketë në qarkullim në treg pako pa këto vërejtje.