Arbëri

Shfuqizohet neni që kërkonte dëshmi të papunësisë që veteranët të përfitojnë pensionin

Veteranet

Gjykata Supreme e ka shfuqizuar një nen në Udhëzimin Administrativ i cili u kërkonte veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të dëshmonin me dokument të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) se nuk janë të punësuar si kusht për të përfituar pensionin e veteranit.

Sipas Supremes, neni që e kërkonte këtë binte ndesh me ligjin e ri.

Kjo nënkupton se veteranët që punojnë në sektorin privat tani kanë të drejtë të marrin kompensim financiar deri në 50 për qind të pensionit. Ministria nuk mund të kërkojë më nga ta vërtetim prej ATK-së se nuk janë në punë, si kusht për pagesë.

Supremja ka vlerësuar se ndryshimet në ligjin e fundit kanë krijuar paqartësi dhe konfuzion juridik. Në Ligjin e ri theksohet se: “Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor.”

“Nga interpretimi i kësaj dispozite, Gjykata vlerëson se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë. Kësisoj, e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit. Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se kërkesa e Ministrisë për paraqitjen e dokumentit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e përcaktuar në udhëzimin kontestues që dëshmon se veterani “nuk është në marrëdhënie pune”, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor”, thuhet në njoftim.

Supremja ka vlerësuar dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ duhet të shfuqizohet ose harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar.

“Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me rregullimin e ri ligjor të paraparë në nenin 16A, paragrafi 5 të Ligjit, dhe për këtë arsye, nuk mund të shërbejë si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. “Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria ka qenë e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore. Mos ndryshimi i Udhëzimit Administrativ nr.01/2015, përkundër ndryshimeve të ligjit që kanë ndodhur më vonë respektivisht në vitin 2017, dhe lënia në fuqi e dispozitës nga neni 14.A, paragrafi 1.5, e  Udhëzimit kontestues të vitit 2015, bie në kundërshtim me ligjin cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të drejtat e garantuara me ligj”.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka përshëndetur këtë vendim duke thënë se neni ishte diskriminues.

“Ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve. Gjykata Supreme ka konstatuar saktë se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit, duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa duke garantuar të drejtën për të gjithë ata që punojnë në sektorin privat. Ky vendim është një konfirmim i qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore dhe se çdo përpjekje për kufizim të paarsyeshëm të të drejtave të veteranëve është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me vlerat e luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim të OVL-së së UÇK-së.

 

Pensioni i veteranit të luftës është 204 euro.