Ndryshimi i Udhëzimit administrativ për nënkryetarët e komunave ka ngritur shqetësime për mundësinë e bllokadës në rastin e zgjedhjes së tyre prej komuniteteve.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka hequr nenin, i cili ishte cilësuar diskriminues për komunitetet të cilave u takon nga një nënkryetar në komunat ku janë pakicë. Sipas udhëzimit aktual, “nënkryetari i komunës për komunitete emërohet nga radhët e komunitetit joshumicë, i cili për nga numri përbën komunitetin joshumicë më të madhin në komuna”. E me udhëzimin e ri, mund të zgjidhet nënkryetar edhe një që nuk vjen prej komunitetit më të madh joshumicë.
“1. Nënkryetari i komunës, nënkryetarët e kryeqytetit dhe nënkryetari i komunës për komunitete, duhet të jenë se paku tre (3) vite banor të asaj komune ku emërohen. 2. Nënkryetar i komunës, nënkryetarët e kryeqytetit dhe nënkryetari i komunës për komunitete, nuk mund të emërohen personat të cilët ndonjë ligj i zbatueshëm në Republikën e Kosovës i s’kualifikon apo i konsideron të papërzgjedhshëm” thuhet në udhëzimin administrativ.
Largimi i këtij kushti ishte kërkesë e Avokatit të Popullit, i cili ka përpiluar një raport pas ankesës së Ertan Simitqi kundër MAPL-së. Avokati i Popullit e ka cilësuar diskriminues për komunitetet e tjera joshumicë, të cilat e synojnë postin e nënkryetarit për komunitete.
“Neni 8, paragrafi 3, i UA nr. 02/2020 duket se komuniteteve joshumicë, që nuk e përbëjnë komunitetin më të madh jo shumicë, ua mohon mundësinë që të kenë nënkryetarin për komunitetet nga radhët e veta. Si rrjedhojë e kësaj, Avokati i Popullit konsideron se neni 8, paragrafi 3 i UA nr. 02/2020 nuk është në harmoni me Ligjin nr. 04/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, përkatësisht nenin 61, paragrafi 1, dhe se i njëjti duhet të ndryshohet”, thotë raporti i Avokatit të Popullit.
Duke e lejuar mundësinë që nënkryetari të zgjidhet edhe nga komunitetet tjera joshumicë në një komunë, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se kjo rrethanë mund të çojë në bllokadë. Valmir Ilazi nga INPO e sheh si problematike edhe faktin se emërimi i nënkryetarit për komunitete është në dorën e kryetarit të komunës.
“Ndryshimi i udhëzimit administrative nr.02/2020 për procedurën e emërimit të nënkryetarëve në komuna, duhet të jetë konform frymës hierarkike ligjore, pra me Ligjin nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale. Nëse në udhëzimin e ri administrativ nuk është paraparë që “nënkryetari i komunës për komunitete emërohet nga radhët e komunitetit jo shumicë i cili për nga numri përbën komunitetin jo shumicë më të madh në komuna”, atëherë është në kundërshtim me ligjin e lartcekur, ngase në të njëjtin ligj, neni 61 rregullon dhe thotë që “Komunat ku të paktën 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve joshumicë do të kenë një nënkryetar për komunitete” atëherë shtrohet pyetja sipas udhëzimit të ri administrativ, si të veprojnë këto komuna të cilat 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve jo shumicë. Mendoj gjithashtu që udhëzimi administrativ i r i jep më shumë kompetencë dhe liri kryetarit të komunës në emërimin dhe shkarkimit të Nënkryetarit për Komuniteteve i cili duhet të propozohet nga kryetari, rrjedhimisht kjo nënkupton që edhe mund të ketë bllokada për shkak të pakënaqësive që mund të kenë shumica e anëtarëve të komuniteteve jo shumicë”, ka thënë Ilazi.
Në MAPL nuk kanë ofruar sqarime lidhur me ndryshimet e bëra në udhëzim.
Në komunat ku së paku 10% e qytetarëve u përkasin komuniteteve joshumicë, emërimi i nënkryetarit të komunës për komunitete është i obligueshëm.