Arbëri

Udhëtimet e Pacollit me aeroplan të paguara nga shteti

Ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli në vitin 2011 kishe udhëtuar në Vjenë e Berlin për takime zyrtare dhe për këto udhëtime ai kishte paguar biletë aeroplani nga buxheti i shtetit të Kosovës.

Në faturat e siguruara nga Kallxo.com, figuron se Pacolli ka paguar biletë të aeroplanit me vlerë prej 1 mijë e 792 euro e 35 cent me 14 qershor 2011 për udhëtimin nga Prishtinë-Vjenë-Berlin-Vjenë-Prishtinë.

Gjithashtu edhe me 10 nëntor 2011 ka udhëtuar nga Prishtina në Vjenë dhe ka paguar biletën në total 660 euro.

Pacolli ka reaguar në shkrimet që Kallxo.com i ka publikuar për shpenzimet e tij që janë paguar nga kuleta e shtetit.

Ai kishte kërkuar nga Prokuroria që të bëjë hetime, pasi që thotë se ai ka paguar nga xhepi i tij për shpenzimet që i kanë pasur gjatë asaj kohe.

“Po lexoj prapë për disa ‘shpenzime’ që gjoja unë paskam bërë gjatë mandatit të kaluar qeverisës (2011-2014). E vërteta është se unë gjatë asaj periudhë nuk i kam kushtuar asnjë cent shtetit të Kosovës”, kishte shkruar Pacolli.

“Unë nuk kam marrë as rrogë; as mëditje dhe shpenzimet e hoteleve dhe shumicën e madhe të biletave të udhëtimeve zyrtare i kam paguar poashtu nga xhepi; nuk kam pasur makine zyrtare dhe nuk kam konsumuar as një litër benzinë, për tërë kohën sa isha në qeveri”, ka shkruar Pacolli në një reagim tjetër.

Ndërsa këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj i pyetur saktësisht për këto dy udhëtime, tha për Kallxo.com se gjatë kësaj periudhe ka pasur raste kur Pacolli s’ka udhëtuar me mjetin e tij transportues, pra aeroplanin e tij privat, andaj biletat janë paguar nga Qeveria e Kosovës.

“Gjatë asaj periudhe ka pasur momente kur z.Pacolli nuk ka udhëtuar me mjetin e tij transportues dhe në pak raste ka ndodhur që ndonjëherë t’i paguhet bileta e aeroplanit nga qeveria e Kosovës, konform rregullave dhe ligjeve ne fuqi”, tha Zyberaj.