Dhjetëra gazetarë ukrainas janë strehuar në Kosovë prej muajsh tashmë duke i ikur luftës në vendin e tyre të pushtuar nga Rusia.
Në ditën e fundit të vitit 2022, gazetarja e parë nga Ukraina e cila erdhi në Kosovë, Lyudmila Makey, ka përkujtuar festimet në shtetin e saj, përvojën në Kosovë dhe fjalët shqip që ka mësuar deri tash.
Për KTV-në Makey ka thënë se asnjëherë nuk e ka paramenduar se për një kohë kaq të gjatë dhe kaq larg do të qëndronte nga familja.
Megjithatë, Kosova dhe qytetarët e saj shpesh ia kujtojnë Ukrainën.
“Kur më pyesin a të pëlqen Kosova, unë them jo që më pëlqen por unë e dua Kosovën”, është shprehur ajo.
Edhe
Katër vjet luftë me Rusinë, refugjatët ukrainas në Kosovë e mësojnë shqipen
“Më pëlqejnë më shumë njerëzit, janë të sinqertë, janë të ngrohtë dhe më mbështesin. Më duken si ukrainasit vetëm se flasin gjuhë tjetër”.
Makey ka treguar se çdo vit tjetër të 31 dhjetorit ka menduar për ushqimin që do të gatuante e çka do të vishte për ta pritur vitin e ri, por këtë herë ka thënë se nuk e ka disponimin e njëjtë.
“Ne përgatisim çka të gatuajmë e të veshim, por në këtë situatë nuk e kemi disponimin dhe vetëm po flasim që sa më shpejt të vjen paqja dhe të kalojë lufta. Më mungon më së shumti familja”.
Dëshira e saj për vitin 2023 është që lufta në Ukrainë të përfundojë dhe populli ukrainas “të qajë jo nga lufta por nga lumturia”.
Edhe
Rrugëtimi i gazetares ukrainase në Kosovë e Shqipëri
Ndërkohë, Makey ka shtuar se për fjalën shqip që i duket më interesante është ajo “hajde”, për shkak se ngjason shumë me fjalën me të njëjtin kuptim në gjuhën ukrainase.
“Gëzuar vitin e ri” ka thënë ajo në fund në shqip.