Dy pishina të destinuara për hidroterapi në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit nuk janë funksionale që prej tre vjetësh kur u përuruan. Në ditën e inaugurimit ato u mbushën me ujë. Megjithëkëtë, kurrë nuk u vunë në funksion të pacientëve që kanë nevojë për rehabilitim.
Dy pishinat brenda Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, prej tri vjetësh nuk janë funksionale.
Për pasojë, nuk mund të ofrohet as shërbimi i hidroterapisë për pacientët, i cili është trajtim mjekësor që përdor ujin për shërim dhe rehabilitim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMegjithatë, një pamje tjetër patën më 29 dhjetor 2022, kur u përurua objekti i ri i Mjekësisë Sportive dhe i Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim. Në fotografitë e postuara nga SHSKUK, shihet se gjatë kohës së përurimit, ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pishinat ishin të mbushura.
Tre vjet pas përurimit, në ueb-faqen zyrtare të këtij institucioni shkruan se shërbimi i hidroterapisë është ‘në pritje për funksionalizim’.
Në QKUK thanë se duhen bërë edhe disa investime në mënyrë që pishinat të funksionalizohen.
“Arsyeja e mosfunksionalizmit të këtyre pishinave ka qenë natyra specifike teknike dhe infrastrukturore e këtyre hapësirave, të cilat kërkojnë investime të konsiderueshme shtesë, përfshirë sistemet e filtrimit, ngrohjes, trajtimit të ujit dhe standardet e sigurisë sipas protokolleve shëndetësore. Përgjatë viteve, prioritet institucional ka qenë garantimi i shërbimeve bazike dhe emergjente për pacientët, duke orientuar buxhetin drejt pajisjeve dhe trajtimeve që kanë prekur një numër më të madh pacientësh”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Në Odën e Fizioterapeutëve theksuan rëndësinë e madhe të terapisë që zhvillohet në pishinë me ujë të ngrohtë, ku pacienti ushtron nën mbikëqyrjen e fizioterapeutit.
Kryetari Feim Gashi thotë se përmes hidroterapisë ndihmohet procesi i rehabilitimit.
“Ka një ndihmesë jashtëzakonisht shumë të madhe, te sportistët, te pacientët me sëmundje reumatizmale, te pacientët të cilët kanë probleme neurologjike e te shumë sëmundje të tjera, do të thotë ndikon jashtëzakonisht shumë. Qendrat e institucioneve publike me të vërtetë momentalisht hala nuk ka një hidroterapi aktive, e cila mundet, dhe kish me qenë shumë e mirëseardhur për pacientët”, ka thënë Gashi.
Gashi shpjegon përfitimet konkrete të saj.
“Terapia ndikon drejtpërdrejtë në uljen e gravitetit, momentin që e ulë gravitetin, ndikon drejtpërdrejtë në rikthimin, gjegjësisht në rritjen e amplitudës edhe rikthimin e forcës muskulare, do të thotë te këta pacientë që është jashtëzakonisht shumë e madhe”, ka shtuar Gashi.
Në QKUK nuk dhanë një afat kohor brenda të cilit do të funksionalizohen pishinat. Vetëm theksuan se sapo të plotësohen kushtet financiare dhe teknike, do të ndërmerren hapat konkretë për aktivizimin e pishinave.