NATO ka njoftuar se përforcimet kanë filluar të arrijnë në Kosovë të hënën, pas sulmit të paprovokuar që ndodhi në Zveçan më 29 maj, ku u lënduan të paktën 30 ushtarë të KFOR-it pas përplasjeve me protestuesit e dhunshëm serbë.
NATO në faqen zyrtare ka bërë të ditur se rreth 500 ushtarë turq do ta përforcojnë kontingjentin e KFOR-it në Kosovë.
Batalioni turk do të vendoset në kampin Sultan Murat dhe do të qëndrojë në Kosovë për aq gjatë sa të jetë e nevojshme.
“Një batalion shtesë i forcave rezervë të NATO-s janë vendosur në gatishmëri të lartë për t’u dislokuar në Kosovë nëse është e nevojshme”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të dielën falënderoi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, për vendosjen e trupave shtesë nga Turqia në Kosovë.
Edhe
Trupat Rezervë Turke të NATO-s mbërrijnë në Kosovë
“Turqia është një aleat i rëndësishëm dhe shumë i vlerësuar, duke bërë një kontribut kyç për NATO-n. Përfshirë këtu edhe trupat për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, që është edhe më i rëndësishëm tash, pasi tensionet janë të larta”, ka thënë Stoltenberg.
Ndërkohë të hënën 15 ushtarë italianë, 11 prej të cilëve u lënduan gjatë protestave të dhunshme në Zveçan më 29 maj, janë kthyer në vendlindje.
Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.
Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Edhe
Një vit nga trazirat në Zveçan, KFOR-i kërkon përgjegjësi
Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.