Arbëri

Trumpi thotë sërish se e ndali luftën mes Kosovës dhe Serbisë

trump rutte

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sërish ka deklaruar se e ka ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë deklaratë e ka bërë gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Ai duke renditur disa vende për të cilat thotë se ka ndikuar që të mos ketë luftë mes tyre, ndër to kanë qenë edhe Kosova dhe Serbia.

Presidentja Vjosa Osmani, ditë më parë i ka konfirmuar deklarimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se e ka shmangur një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë në Kosovë nga Serbia. por në rastin e fundit, Osmani ka theksuar se Trumpi e ka parandaluar një eskalim të kohëve të fundit.

Ndërkaq emisari i Shteteve të  Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, e ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani, se i ka manipuluar fjalët e presidentit Trump.

“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 - përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Washingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”, ka shkruar Grenell në rrjetin social “X”.

Presidenca e Kosovës ka paralajmëruar konferencë për media të presidentes Vjosa Osmani sapo të kthehet në Kosovë nga vizita zyrtare e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Kjo konferencë lidhet me reagimin e emisarit të Shteteve të SHBA-së, Richard Grenell, i cili e ka akuzuar Osmanin për manipulim të fjalëve të presidentit amerikan, Donald Trump.