Menaxhmenti i “Trepçës” u ka bërë të premten thirrje minatorëve që të tërhiqen nga procedurat përmbarimore për pagesat e orëve të fundjavës, duke paralajmëruar se përndryshe rrezikohen pagat e muajve prill për mbi 70 për qind të punonjësve dhe të majit për të gjithë minatorët.
Në një shkrim në Facebook, kompania ka kërkuar arritjen e marrëveshjeve për pagesë me këste, për të shmangur shpenzimet shtesë të përmbaruesve dhe avokatëve, si dhe për të ruajtur stabilitetin financiar të ndërmarrjes.
“Momentalisht është e pamundur të sigurohet pagesa e rrogave për prill 2025 për mbi 70% të punonjësve. Ekziston rreziku që të mos realizohet në kohë as pagesa e rrogave për muajin maj”, thuhet në reagim, duke shtuar se vetëm sot ekziston një urdhër përmbarimor mbi shumën 200 mijë euro.
Sipas menaxhmentit, ka pasur përpjekje për të bindur përfaqësuesit e minatorëve që të pezullojnë përmbarimet për dy ditë, me qëllim që të bëhen pagesat e rrogave, por një marrëveshje e tillë nuk është arritur.
Kompania bën thirrje për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se marrëveshja është rruga e vetme për të shmangur pasojat e rënda financiare për të gjithë punonjësit.
-
Reagon sindikata: Minatorët e “Trepçës” s’i kanë marrë ende pagat e qershorit, jemi buzë humnerës
-
Minatorët e Trepçës kërkojnë që t’u ekzekutohen me kohë dhe të plota pagat, kritikojnë menaxhmentin
-
Minatorët e “Trepçës” kërkojnë paga më të larta dhe investime në ndërmarrje
-
Minatorët e “Trepçës” reagojnë lidhur me pagën e 13-të: Padrejtësi sistematike
-
Minatorë të Kishnicës e Artanës prej një jave në grevë