Trend në rritje i numrit të pacientëve me COVID-19 të shtrirë në spitalet dhe klinikat e Kosovës po regjistrohet ditëve të fundit. Krahas rritjeve të rasteve të reja ditore, ngritje ka pasur edhe numri i pacientëve të konfirmuar me COVID-19.
Të mërkurën, sipas raportit ditor të Shërbimit Spitalor Klinik, në klinikat dhe spitalet e vendit po trajtohen 23 pacientë të konfirmuar me COVID-19 dhe 26 post-COVID.
Me oksigjeno-terapi janë 14 pacientë, kurse në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive nuk ka asnjë pacient.
Numri i pacientëve paraqet ngritje prej shtatë pacientësh në krahasim me një ditë më herët, por trendi në ditët e fundit është vazhdimisht në ngritje.
Teksa në fund të vitit dhe në ditët e para të janarit shifra sillej rreth 30 pacientë në përgjithësi, e shumica ishin post-COVID, në shifrat e reja ngritja është vënë re sidomos te kategoria e rasteve aktuale me COVID-19.
Në ditët e fundit është regjistruar ngritje e konsiderueshme e rasteve të reja ditore me COVID-19. Të martën u regjistruan 356 raste të reja, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 2083. Më 1 janar ishin 492 raste aktive.