Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ndalet rritja e rasteve me COVID-19, vetëm të mërkurën 341

Trend i rritjes së ndjeshme të rasteve me COVID-19 po e përcjell Kosovën ditëve të fundit. Vetëm të mërkurën janë regjistruar 341 raste të reja nga testimi i 1165 mostrave, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në raportin ditor.

Pos trendit rritës të rasteve, është rritur dukshëm edhe trendi i testimeve. Në përqindje, pozitiviteti i rasteve karshi testimeve të mërkurën ka qenë 29.27.

Në të njëjtën ditë janë shëruar 64 persona.

Trendi rritës është regjistruar që nga mesi i qershorit. Më 20 qershor, Kosova pati 110 raste aktive. Tash numri i rasteve aktive është rritur në 1521.

Rritje ka pasur edhe në numrin e pacientëve të shtrirë në spitalet e Kosovës. më 5 qershor ishin 25 pacientë, ndërsa vetëm dy javë më herët nuk pati pacientë të shtrirë.

Të kundërtën e trendit rritës së rasteve pozitive po e regjistron trendi i vaksinimit. Për 24 orë janë administruar vetëm 78 vaksina. Sipas njoftimit të MSH-së, deri tash në nivel vendi janë administruar 1.83 milionë doza. 103 mijë e 344 është numri i qytetarëve me dozë të tretë të vaksinës, ndërsa 823 mijë janë me nga dy doza.