Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arrestohen dy zyrtarë të MPB-së, kundërligjshëm lëshonin lejeqëndrimi për shtetas të huaj

MPB

Foto: Arkiv

Tekst i përditësuar - Tre persona, prej të cilëve dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “falsifikim i dokumentit”. 

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se pas aksionit që është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas zhvillimit të hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të tre personat janë ndaluar për 48 orë.

Nga personat e ndaluar, sipas Prokurorisë. njëri është zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri është zyrtar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare, të dyshuarit me inicialet F.Sh., dhe G.j., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, si dhe i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

“Po ashtu, nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit F. Sh., dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë dyshohen, se në bashkëkryerje kanë lëshuar lejeqëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’iu mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me lejeqëndrimi në Republikën e Kosovës.

Për rastin ka shkruar edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

Edhe MPB-ja mirëpret aksionin ku u arrestuan 4 të dyshuar, dy prej tyre zyrtarë të saj Kronikë MPB-ja mirëpret aksionin ku u arrestuan 4 të dyshuar, dy prej tyre zyrtarë të saj

“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore”, ka shkruar Sveçla në Facebook. 

Ai ka thënë se çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë.

“Luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët. Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, ka shkruar Sveçla.