Reagime të ashpra ka nxitur iniciativa e presidentit të Republikës për themelimin e komisionit për të vërtetën dhe pajtim me Serbinë, raporton KTV.
Ferdonie Çerkezi nga Gjakova, që humbi në luftë bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, tre prej të cilëve ende nuk i gjeti, thotë se presidenti nuk guxon të themelojë komisionin pa i kontaktuar familjarët.
Ajo thotë se do të ngrihen në protesta e këtë komision nuk do ta lejojnë të bëhet.
Tepër e lënduar me iniciativën e presidentit thotë të jetë edhe Nysrete Kumnonva, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave”.
Kumnova asnjëherë nuk do të pajtohet derisa edhe personi i fundit që figuron si i zhdukur të kthehet në Kosovë e kriminelët të marrin dënimin e merituar.
Kumnova thotë se nëse presidenti nuk tërhiqet vetë nga kjo iniciativë atëherë familjarët do të thërrasin protesta gjithëpopullore pa u ndalur.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi një ditë më herët nisi përpjekjet për themelimin e komisionit për paqe dhe pajtim që synon të jetë i pari edhe në Ballkan.