Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Paralajmërohet se Osmani do ta vazhdojë nismën e Thaçit për Komisionin e Vërtetësisë

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë, Bekim Blakaj, ka thënë se ka informacionet që presidentja Vjosa Osmani do ta vazhdojë, me disa modifikime, nismën e ish-presidentit Hashim Thaçi për themelimin e Komisionit të Vërtetësisë dhe Pajtueshmërisë për Kosovën.

Në vitin 2017, sa ishte president, Hashim Thaçi inicioi krijimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, duke theksuar se vendi duhet të përballet me të vërtetën e asaj që ndodhi gjatë luftës së viteve 1998-1999 në mënyrë që populli i Kosovës të mos mbetet peng i së kaluarës. Mirëpo, që kur dha dorëheqje për shkak të ngritjes së aktakuzave në Hagë, për këtë nismë nuk ka pasur ndonjë informacion nëse do të vazhdojë.

“Nisma e ish-presidentit Hashim Thaçi për themelimin e Komisionit të Vërtetësisë dhe Pajtueshmërisë, nuk është themeluar ende. Është themeluar një grup parapërgatitor që ka hartuar planin e punës. Nuk ka informata publike nëse do të vazhdojë kjo nismë. Unë kam informacione që presidentja Vjosa Osmani do ta vazhdojë e ta modifikojë nismën”, ka thënë Blakaj në “60 Minuta” të KTV-së.

Blakaj ka thënë se në çdo nismë që është marrë për kohën e luftës në Kosovës ka pasur defekte, ndërsa mosveprimin e institucioneve të Kosovës thotë se e kanë vuajtur më shumë familjet e personave të zhdukur

“Çështja e ballafaqimit me të kaluarën, i takon një mori nismash që duhet të ndërmarrë nga institucionet e një vendi që ka dalë nga lufta, ku janë shkelë të drejtat e njerëzve. Janë katër shtylla ku duhet të bazoheshin këto nisma, me të drejtën e shoqërisë gjatë konfliktit, me ndjekjen penale për ata që kanë qenë përgjegjës, dëmshpërblim për viktimat dhe është dashur reforma institucionale që të sigurohen qytetarët që s’do të ketë më përsëritje të së kaluarës. Këto nisma duhet të ketë një koordinim me nismën tjetër, të mos merren në ad-hoc. Për fat të keq, në Kosovë ka defekt në secilën prej tyre. Për ta gjetur të vërtetën e asaj që ka ndodhur në Kosovë, nuk ka pasur një Komision të vërtetësisë. Ende s’ka asnjë veprim institucional për atë që ndodhur në të kaluarën në Kosovë, nga kjo kanë pësuar më së shumti familjet e personave të zhdukur. Rreth 1640 persona janë të raportuar si të zhdukur. Ky është një problem që është dashur t’i jep urgjencë. Ndjekjet penale janë të pakta. Edhe ato ndjekje janë të profileve të ulëta, jo të larta”, deklaroi drejtori i FHD-së.

Edhe Presidenca po shqyrton mundësinë për formimin e komisionit të nisur nga Thaçi Arbëri Presidenca po shqyrton mundësinë për formimin e komisionit të nisur nga Thaçi

Blakaj e ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti në raport me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur. Sipas tij, kërkesa e Kurtit për largimin e zyrtarit kryesor nga Komisioni për personat e zhdukur në Serbi, është shfrytëzuar nga pala serbe për ta stagnuar dialogun.

“Kosovës i duhet një strategji nacionale për t’u përballur me të kaluarën. Një Institut për Krime të Luftës është i domosdoshëm”, përfundoi ai.