Thethi, një nga zonat piktoreske më të njohura në Shqipëri sa i përket turizmit malor, vijon të jetë “mollë e ndaluar” për vizitorët.
Ndonëse jemi në muajin prill, në stinën e pranverës, sërish kalimi me makinë drejt këtij destinacioni ndalet në Qafën e Thores, pasi rruga për shkak të borës dhe akullit bëhet e pakalueshme, transmeton tch.
Pjesa tjetër prej 16 km në drejtim të Thethit mund të përshkohet vetëm në këmbë.
Banorët e kësaj zone thonë se fadroma që po punon për hapjen e kësaj rruge është shumë e vjetër dhe e ka të pamundur lirimin e rrugës.
Petrit Shpella, pronar i një bujtine në Theth, thotë se askush nuk është kujtuar për hapjen e rrugës, ndonëse turizmi është e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura në këtë zonë.
Një muaj më parë u hap zyrisht procedura e tenderimit për rrugën Qafë Thore-Theth me gjatësi 16 km që lidh një ndër zonat më të bukura të Alpeve me Bogën dhe Shkodrën. Investimi do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale” për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.
Edhe
Thethi nuk do të jetë më aq larg sa tash
Projekti për këtë rrugë është pjesë e investimeve që rrjedhin nga Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare, që bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve.
Ndër të tjera, projekti parashikon gjerësi asfalti 4-4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës do të ndërtohen 3 tunele nga 20-30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët.