Është thelluar përçarja brenda Partisë Guxo. Pas largimit të deputetit Haxhi Avdyli dhe të disa anëtarëve të partisë, si shenjë pakënaqësie për mosmbështetjen e kandidaturës së Vjosa Osmanit për presidente, përplasja ka kaluar në fyerje.
Më 9 mars, deputeti Avdyli pati njoftuar se dorëhiqet nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo. Pas kësaj dorëheqje, pasuan edhe të tjera përfshirë edhe të degëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërkaq largimin e tij, bashkëkryetarja e Partisë, Donika Gërvalla, e cilësoi si veprim impulsiv. Në një intervistë për televizionin publik, Gërvalla të hënën tha se do ta bisedojë me Avdylin këtë diskutim kur të përfundojë çështja. Ajo tha se Avdyli indirekt ka treguar se nuk është larguar tërësisht nga Guxo duke thënë se si mund të jetë dikush pjesë e Grupit Parlamentar nëse s’është anëtar i Vetëvendosjes apo partive anëtare në grup.
E të martën, në një shkrim në Facebook, Avdyli u shpreh se Gërvalla nuk e ka lexuar drejt aktin e dorëheqjes së tij. Ai ka thënë se dorëheqja e tij nuk e pengon të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të VV-së. Madje ai tha se do të largohej nga ky grup vetëm nëse i vjen një mesazh nga shefja e grupit, Arbërie Nagavci apo sekretariati. Në këtë rast, Avdyli ka thënë se edhe nëse ndërhyn Gërvalla që ai të largohet, atëherë ai “nuk do të tentojë që me forcë të futet brenda takimeve si i paftuar”.
“E më pak të bëj skena si ju, kur para më shumë se 10 vite, tentove me forcë të merrje pjesë në takime te KP te LDK-së ku as nuk ishit anëtare, as nuk kishit ftesë, as drejtë pjesëmarrjeje. Dhe për ironi e fatit ishte e vetmja Vjosa Osmani atëbotë, që solidarizua me ju deri ne kacafytje”, ka shkruar Avdyli në Facebook.
Ai ka thënë se Guxo po shkon drejt zhdukjes si projekt politik.
“Kjo situatë ka ardhur jo në mënyrë impulsive, por përmes injorimit, mbyllje e të zyreve, nënçmimit, ikjes nga diskutimet me aktivistë e veprimtarë shumë të devotshëm që një nga një, po ikin, shumë nga ta në heshtje”, ka shtuar Avdyli, që ka thënë se megjithatë ka bindjen që “ideja e Guxo do jetojë shumë gjatë”.
E Avdylit i ka reaguar kolegu i tij në Guxo dhe Kuvend, Fatos Geci. Në Facebook, Geci ka thënë se kur ishte vendosur për emrat në listë, Avdyli kishte këmbëngulur që të ishte sa më lartë. Për këtë e ka quajtur egoist.
Në një “sqarim dhe demaskim për deputetin Haxhi Avdyli dhe kinse ‘frikën’ e tij ndaj deklaratës se babit tim për ish-presidenten Osmani”, Geci e ka quajtur “të gërditshëm” deputetin Avdyli.
“Momenti i dytë ishte pasi përfunduan listat. Ishim në një mbledhje së bashku me ministren Gërvalla dhe kandidatët për deputetë, kur erdhe dhe më the mua, deputetëve dhe Donikës: “Vjosa është vërtet e gërditshme, shumë e gërditshme me disa veprime.” Në atë moment nuk e kuptova se për çfarë e kishe fjalën, por më vonë e kuptova dhe pashë se, në fakt, jo vetëm ajo, por ju të dy jeni më se të gërditshëm. Për dallim nga ti që flet prapa krahëve të Vjosës, unë kam guximin ta them publikisht dhe privatisht, ty dhe asaj sepse ky është realiteti jeni të njëjtë. Së treti, zoti deputet, më datë 26 shkurt pas takimit me ty mora telefonata dhe mesazhe pa ndalur nga Zyra e Presidencës, saktësisht nga djali i axhës tënd, Emrush Avdyli, i cili me tha qe punon në Presidencë dhe këmbëngulte që të takohem me Vjosën (i kam te gjithë mesazhat e thirrjet ne whats app) gjë që kategorikisht e kam refuzuar. Unë nuk shitna. Unë jam një person me parime dhe i edukuar nga një baba që më ka mësuar gjatë gjithë jetës të ha vetëm me një lugë”, ka shkruar ai.
Geci i ka bërë thirrje për sinqeritet Avdylit. Sipas tij, Avdyli e përkrah Osmanin për presidente vetëm sepse familjarët i punojnë në Presidencë.
“Pas 48 orësh, kur e kuptove se ke gabuar rëndë, u riktheve në grupin tonë parlamentar në VV. Por tashmë Benin e kemi ministër të Shëndetësisë; ke ende kohë të mendosh nëse do të shkosh te Vjosa por mos harro kur të shkosh kembëngul me hy ne 10shen e LDK-së apo listes se saj, nese veç vendos me shku! Unë kam respekt për presidenten Osmani edhe për 18 ditë, dhe pas datës 4 prill, Kosova do ta kuptojë realitetin atë realitet që ti unë dhe shumica e depuetve e dijmë e pastaj do t’ia tregojë vendin secilit”, ka shtuar Geci.
Ai ka thënë se uron që Kosova të shkojë në zgjedhje dhe që të matet fuqia në popull. E sipas tij, edhe nëse “kryeministri Kurti i merr 80% në zgjedhjet e ardhshme, prapë do ta konsideroj pak”.
Partia Guxo është themeluar nga Vjosa Osmani para zgjedhjeve të shkurtit të 2021-tës, por pasi që ajo është zgjedhur presidente disa muaj më vonë, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Drejtimin e partisë e morën Donika Gërvalla e Faton Peci.
Osmani nuk gjeti mbështetjen e shumicës për ta marrë edhe një mandat si presidente. Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Glauk Konjufcën e në orët e fundit të afatit e shtoi edhe Fatmire Kollçakun për ta nisur procedurën për zgjedhjen e presidentit. Seanca u ndërpre për mungesë kuorumi. Menjëherë pas kësaj, Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit – që është kontestuar nga LVV-ja në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja pezulloi çdo veprim të presidentes dhe Kuvendit deri më 31 mars.